Erion Braçe ka deklaruar se do t'i shkojë deri në fund garës për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore 2027.
Në një reagim në rrjetet sociale, deputeti socialist thotë se ka nisur punën në terren pa pritur konfirmim nga partia.
“Jam edhe unë një nga të gjithë dhe nuk prita të më thotë dikush: ‘Do të jesh ti, puno tani’. Jo. Ndjeva njerëzit në rrugët dhe lagjet e Tiranës, pashë çfarë nuk ecën dhe krijon probleme. Po kuptoj qytetin dhe nevojat e tij rrugicë më rrugicë”, shprehet Braçe.
Sipas tij, brenda socialistëve kanë nisur lëvizjet për emrat e mundshëm që mund të synojnë drejtimin e kryeqytetit.
“I kanë thënë dikujt: ‘Ti do të jesh, fillo puno’, dhe ai ka nisur punën fort. I kanë konfirmuar dikujt tjetër: ‘Ty të kam, merru me njerëzit’, duke e lënë të kuptohet se ‘mund të jesh ti’. Shikoni, kjo është shumë mirë. Ka gjallëri”, vijon Braçe.
Braçe e sheh pozitive këtë gjë ndërsa thotë se kërkon që brenda PS të ketë alternativa dhe një garë reale për kandidatin që do të synojë drejtimin e bashkisë më të madhe në vend.
“Po pres garën dhe do t’i shkoj deri në fund, si gjithmonë, për ta fituar këtë punë, sepse punë është!”, thotë Braçe.
Që prej muajit mars, Braçe shpalli ambicien për të drejtuar Bashkinë e Tiranës. Në diskutimet për kandidatin për kryeqytetin ka qenë edhe emri i Ogerta Manastirliut, të cilën Edi Rama e propozoi si kandidate për Bashkinë e Tiranës gjatë Asamblesë në shtatorin e 2025-ës. Emri i saj u propozua pas shkarkimit të Veliajt, por Tirana nuk shkoi në zgjedhje të parakohshme pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për çështjen Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej gati 19 muajsh.
Postimi i plotë
Nga mesi i Kombinatit: Unë nuk besoj se socialistët duan një njoftim, por duan të vendosin. Unë nuk besoj se socialistët duan të votojnë një njoftim, por duan të zgjedhin kandidatin e tyre për Bashkinë e Tiranës! Më kanë shkruar plot njerëz të mirë nga territori këto ditë.
I kanë thënë dikujt: “Ti do të jesh, fillo puno”, dhe ai ka nisur punën fort. I kanë konfirmuar dikujt tjetër: “Ty të kam, merru me njerëzit”, duke e lënë të kuptohet se “mund të jesh ti”. Shikoni, kjo është shumë mirë. Ka gjallëri, edhe pse e padukshme, edhe pse “nuk është momenti”. Mua më pëlqen të ketë garë, punë konkrete në territor, diskutime për zgjidhje.
Jam edhe unë një nga të gjithë dhe nuk prita të më thotë dikush: “Do të jesh ti, puno tani”. Jo. Ndjeva njerëzit në rrugët dhe lagjet e Tiranës, pashë çfarë nuk ecën dhe krijon probleme. Po kuptoj qytetin dhe nevojat e tij rrugicë më rrugicë. Po flas me shumë njerëz për atë që duhet të ndryshojë rrënjësisht në këtë qytet, për ta rikthyer që të bëhet sërish i jetueshëm.
Po pres garën dhe do t’i shkoj deri në fund, si gjithmonë, për ta fituar këtë punë, sepse punë është! Nuk pres një njoftim në mur apo në eter. Nuk vlen njoftimi, është i vjetër. Kriza që po jetojmë ka në thelb mënyrën se si vendosim, dhe njoftimi, përjashtues në përgjithësi, nuk është më element i vendimmarrjes.
Socialistët, para së gjithash, por edhe njerëzit më gjerë - sidomos në këtë qytet - duan të jenë pjesë e vendimmarrjes, jo të marrin dhe të votojnë njoftime si produkt i një vendimmarrjeje që po bëhet gjithnjë e më e ngushtë dhe që nuk i përfshin. Kjo duhet të ndryshojë dhe Tirana e meriton!
View this post on Instagram

