POLITIKË /

Edhe Tatimorët njësoj si policët me kamera inteligjente në trup, Rama: Nuk ka më kontrolle pa paralajmërim te biznesi!

Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Rama tha se kontrollet duhet të kalojnë “testin e besës” dhe njoftoi se nuk duhet të ketë më kontrolle rutinë pa paralajmërim

Shkruar nga Versus

Edhe Tatimorët njësoj si policët me kamera inteligjente në

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime në mënyrën e kryerjes së inspektimeve ndaj bizneseve, pas një takimi me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Inspektorin e Përgjithshëm, Dashnor Sula dhe inspektorët e terrenit.

Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Rama tha se kontrollet duhet të kalojnë “testin e besës” dhe njoftoi se nuk duhet të ketë më kontrolle rutinë pa paralajmërim.

“Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e besës. E para, nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, inspektimet nuk duhet të kenë si qëllim kapjen e bizneseve në shkelje, por t’i ndihmojnë ato të përmirësojnë zbatimin e ligjit dhe përmbushjen e standardeve.

Rama theksoi gjithashtu se gjoba duhet të jetë masa e fundit që përdoret ndaj një biznesi dhe jo mjeti i parë i kontrollit.

Kryeministri u bëri thirrje sipërmarrësve që të denoncojnë menjëherë çdo kontroll rutinë të kryer pa paralajmërim nga inspektoratet.

Ndërkohë, ai njoftoi një tjetër ndryshim që pritet të aplikohet së shpejti. Sipas Ramës, çdo inspektor që kryen kontrolle në terren do të jetë i pajisur me kamera inteligjente trupore dhe do të mbajë uniformë identifikuese.

Kamerat, sipas kryeministrit, do të shërbejnë edhe për mbikëqyrjen e punës së inspektorëve nga Inspektorati i Përgjithshëm.

“Gjoba mbi një biznes është arma e fundit, jo e para”, tha Rama, duke shtuar se synimi është krijimi i një marrëdhënieje më transparente mes shtetit dhe sipërmarrjes./Versus.al

Poll