
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me flakët që shkrumbuan sipërfaqe të mëdha pyjesh gjatë mbrëmjes së djeshme në Krujë. Teksa shprehu mirënjohjen për zjarrfikësit, efektivët e FA dhe pilotët e forcave ajrore, Rama tha se aktualisht në majën e malit të Krujës vetëm një vatër zjarri është ende aktive.
Ndërsa më poshtë postoi edhe një mesazh që sipas tij i ka ardhur nga një emigrant krutan i cili prej 30 vitesh jeton në Belgjikë.
Postimi i plotë i Ramës:
Mirënjohje dhe respekt i thellë për pilotët e Forcës Ajrore, efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit si edhe trupave speciale të ushtrisë dhe policisë, që mbrojtën mes flakëve jetët e banorëve të Krujës duke ia dalë me sukses një sfide të frikshme dhe nga Kruja në Kamëz, Tiranës dhe Vorës, luftuan pa ndërprerje me zjarret e këtij gushti përvëlues.
*Aktualisht, vetëm një vatër e izoluar në majën e Malit të Krujës vijon të mbetet aktive, por njëkohësisht mbeten burim krenarie e motivimi për trupat tona përgëzimet e mesazhet e panumërta të banorëve, ndër të cilët edhe ky mesazh:
“Zoti Kryeministër, unë jam nga qyteti i Krujës emigrant prej 30 vitesh në Belgjikë se pari të uroj shëndet, se dyti dua t’ju falënderoj juve personalisht për mbështetjen me ndërhyrjen ajrore dhe angazhimin e qeverisë në tragjedinë e ndodhur dhe se treti djemt e zjarrfikësve të Krujës, u bë gjithçka që mund të bëhej për shuarjen e atij zjarri të paparë ndonjëherë. Me respekt.” Versus.al

