POLITIKË /

Ilir Meta denoncon monitorimin e takimeve me avokatin: Po cenohet konfidencialiteti i komunikimit

Sipas Metës, takimi i dytë me avokatin Bianku u zhvillua këtë të enjte, ndërsa ai pritet ta përfaqësojë ish-presidentin përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

Shkruar nga Versus

Ilir Meta denoncon monitorimin e takimeve me avokatin: Po cenohet

Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka denoncuar monitorimin me kamera të takimeve të tij me avokatin Ledi Bianku në ambientet e IEVP “Jordan Misja” në Tiranë.

Meta pretendon se ambienti ku zhvillohen takimet ligjore vijon të jetë nën monitorimin e kamerave, duke e cilësuar këtë situatë si një cenim të së drejtës për mbrojtje efektive dhe të konfidencialitetit të komunikimit avokat-klient.

Sipas Metës, takimi i dytë me avokatin Bianku u zhvillua këtë të enjte, ndërsa ai pritet ta përfaqësojë ish-presidentin përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

Meta thotë se edhe gjatë takimit të parë, më 17 korrik 2026, avokati Bianku kishte konstatuar praninë e një kamere në ambientin ku zhvillohej takimi.

Për këtë arsye, dy mbrojtësit ligjorë të Metës iu drejtuan zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke kërkuar marrjen e masave për garantimin e konfidencialitetit të komunikimit mes të paraburgosurit dhe avokatit.

Sipas pretendimeve të ish-presidentit, kërkesa nuk ka marrë përgjigje dhe situata nuk ka ndryshuar. Ai deklaron se edhe takimi i zhvilluar sot me Biankun është kryer në një ambient të monitoruar me kamera.

“Ky fakt nuk mund të konsiderohet një çështje thjesht administrative apo teknike. Konfidencialiteti i komunikimit ndërmjet avokatit dhe klientit është një garanci themelore e së drejtës për mbrojtje efektive dhe e një procesi të rregullt ligjor”, shprehet Meta.

Ish-presidenti ka bërë të ditur se, së bashku me avokatin Ledi Bianku, do t’i drejtohet GJEDNJ-së, ku do të paraqesë shqetësimet e tij lidhur me pretendimin për cenimin e të drejtës së mbrojtjes, përfaqësimit efektiv dhe konfidencialitetit të komunikimit me avokatin.

Meta thekson se qëllimi i denoncimit nuk është vetëm rasti i tij personal, por respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës dhe garancive ligjore për çdo person të privuar nga liria./Versus.al

 

Poll