Një deklaratë e bërë disa muaj më parë nga kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa ka qarkulluar së fundmi në rrjetet sociale duke ngjallur shumë reagime.
‘’Sot Lushnja nuk ka një dalje në det dhe do të forconte akoma më shumë rolin turistik të saj’’- ka qenë fjalia e Sefës që ka ngjallur diskutime të shumta në rrjetet sociale.
Përtej faktit që mënyra e shprehjes së Sefës për daljen në det duket sikur po bëhet një lloj analize e përfitimit të bashkimit të ‘2 shteteve’, ka një tjetër detaj që është edhe më shqetësues përsa i takon transparencës.
Në kushtet kur në të gjithë vendin banorët e bashkive që do të shkrihen janë ngritur në protestë duke e kundërshtuar një gjë të tillë, duket se propozimi i PS iu ka ardhur si ‘bombë’ dhe totalisht i papritur. Por edhe pse nuk është folur mjaftueshëm, duket se kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa ka patur dijeni për këtë plan të qeverisë për shkrirjen e bashkisë së Divjakës me atë të Lushnjës.
‘’Divjaka bashkë me Lushnjën kanë qenë pjesë e qarkut të Lushnjës dhe besoj në mentalitetin e qytetarëve do të jetë më lehtë i pranueshëm ky bashkim ndryshe nga çdo të ndodhë në shumë bashki të tjera. Patjetër që do t’i jepte potencial shumë të rëndësishëm në bujqësi Lushnjës, por edhe potencial tjetër që është ai i bregdetit sepse Lushnja sot nuk ka dalje në det. Dhe do të forconte akoma më shumë rolin turistik të saj duke i dhënë jo vetëm rolin e rëndësishëm në bujqësi, por edhe në zhvillimin e turizmit që sot në Lushnje e kemi gjatë gjithë vitit’’- shprehej ajo në intervistën e dhënë më 24 prill.
Sot ku kanë kaluar rreth 4 muaj nga kjo deklaratë, qytetarët e Divjakës po protestojnë kundër propozimit të PS për shkrirjen e bashkisë së tyre. Fakti që Sefa e ka ditur diçka të tillë dhe qytetarët jo, ngre pikëpyetje të shumta mbi transparencën e pushtetit vendor dhe qendror ndaj publikut lidhur me Reformën Territoriale. Versus.al

