
Ish-deputeti socialist Pandeli Majko ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, i cili ka pretenduar se dy vende të rajonit kanë ndërmarrë veprime të koordinuara hibride me synim destabilizimin e Malit të Zi.
Deklaratat e Spajiç kanë marrë një tjetër dimension pas raportimeve të medias malazeze “Vijesti”, e cila, duke iu referuar burimeve të saj, ka aluduar se bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Serbinë.
Majko i ka cilësuar akuzat si tepër shqetësuese dhe ka ngritur pikëpyetje mbi mungesën e një reagimi zyrtar diplomatik ndaj tyre.
“Jemi përballë një skandali rajonal”, shprehet Majko, duke theksuar se Shqipëria nuk ka “dashuri” gjeopolitike me Serbinë.
Në reagimin e tij, ai shkruan se komentet e kryeministrit malazez për veprimtari të koordinuara hibride nga dy vende fqinje janë shqetësuese, ndërsa edhe më problematike i konsideron aludimet e medias “Vijesti” për përfshirjen e Shqipërisë.
Majko argumenton se pretendime të tilla do të ishin veçanërisht serioze nëse nuk shoqërohen me “nota diplomatike” apo me referim zyrtar në strukturat e NATO-s.
Sipas tij, politika e Malit të Zi ka një histori të qëndrimeve të ndërlikuara në raport me fqinjët, ndërsa deklaratat e fundit rrezikojnë të shtojnë tensionet në një rajon tashmë të karakterizuar nga marrëdhënie të brishta politike dhe gjeopolitike./Versus.al

