
Agjencia për Media dhe Informim (MIA) ka reaguar pas një postimi të ripublikuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, i cili i atribuohej kryeministrit Edi Rama. MIA ka deklaruar se bëhet fjalë për një status të falsifikuar, që nuk është publikuar nga kreu i qeverisë.
Postimi i shpërndarë nga Tabaku përmbante pretendime lidhur me Ligjin 21/2024 dhe kërkesën e Parlamentit Europian për shfuqizimin e tij.
Në tekstin e rremë, Ramës i atribuohej qëndrimi se çështja duhej t’i lihej referendumit dhe se qeveria do të respektonte vullnetin e qytetarëve.
Në reagimin e saj, MIA i ka bërë thirrje deputetes demokrate ta tërheqë publikimin dhe të kërkojë ndjesë për shpërndarjen e tij.
“Znj. Jorida Tabaku ka ripostuar një status të falsifikuar (fake), i cili i atribuohet në mënyrë të rreme Kryeministrit Edi Rama. Bëjmë me dije se ky tekst nuk është publikuar nga Kryeministri dhe nuk përmban asgjë të vërtetë. Do të ishte e udhës që znj. Tabaku ta tërhiqte ripostimin dhe t’u kërkonte ndjesë atyre që kanë rënë pre e këtij falsifikimi.”, thuhet në reagimin e MIA-s.
Agjencia thekson gjithashtu se raste të tilla përbëjnë keqinformim, duke argumentuar se fabrikimi i deklaratave dhe atribuimi i tyre zyrtarëve publikë mund të manipulojë opinionin publik.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave, postimi i Tabakut nuk gjendet më në profilin e saj në rrjetin social X./Versus.al

