POLITIKË /

“Në Selenicë kemi edhe ujë të kripur në mal”/ Rama ironizon kryebashkiakun e Selenicës: Faleminderit për informacionin

Takimi vjen në një kohë kur debati për reformën e re territoriale është rikthyer në vëmendje.

Shkruar nga Versus

“Në Selenicë kemi edhe ujë të kripur në

Kryeministri Edi Rama është përballur me kryebashkiakun e Selenicës, Nertil Bellaj, gjatë aktivitetit “Vajza Fest”, në fshatin Vajzë, ku u zhvillua edicioni i katërt i kësaj feste që promovon traditën, kulturën, artin, sportin dhe trashëgiminë e zonës.

Takimi vjen në një kohë kur debati për reformën e re territoriale është rikthyer në vëmendje.

Rama ka nisur konsultimet me kryebashkiakët për variantin e propozuar nga Partia Socialiste, i cili parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.

Kryebashkiaku i Selenicës, i cili ka shprehur publikisht kundërshtimin ndaj bashkimit të bashkisë me Vlorën, gjatë fjalës së tij tha se institucioni që drejton ka bërë punë të rëndësishme gjatë katër viteve të fundit dhe se vendimi për të ardhmen e bashkisë i takon kryeministrit.

“Kryeministër këtu kemi edhe ujë deti këtu, ujë të kripur. Këto na i ka falur natyra. Ashtu si Labëria e ka famëmadhe historinë, ne si bashki, jemi munduar që për katër vite, famëmadhe do ta bëjmë edhe bashkinë tonë, duke e çuar bashkinë në një nivel tjetër të turizmit malor dhe lumor. Kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë dhe të shohim pastaj se si do shkojnë gjërat”, tha Bellaj.

Deklarata për “ujin e kripur” në zonën malore u bë më pas pjesë e fjalës së kryeministrit Rama, i cili iu përgjigj me ironi kryebashkiakut.

“Dua të përshëndes kryetarin e Bashkisë, Nertilin dhe ta falënderoj për informacionin për vajtjen e detit në majë të malit me ujin e kripur. Dua të përshëndes edhe ministrin e pushtetit vendor, zotin Demo, i cili është këtu i pranishëm për të kontrolluar si funksionon bashkia e Selenicës”, tha Rama.

Përplasja mes dy qëndrimeve vjen në sfondin e diskutimeve për riorganizimin territorial të vendit.

Selenica është ndër bashkitë që rrezikon të mos jetë pjesë e hartës së re, ndërsa kryebashkiaku Bellaj ka dalë kundër bashkimit me Vlorën, duke argumentuar për ruajtjen e identitetit dhe potencialit të zonës.

Ndërkohë, aktiviteti “Vajza Fest” u zhvillua si një event që synon të promovojë vlerat kulturore, historike dhe turistike të Selenicës dhe Labërisë./Versus.al

Tags:

edi rama

Poll