POLITIKË /

Pas retreat-it në Pogradec, Rama: Sezon politik me energji të reja. Ministrat çdo muaj do ndjekin personalisht shqetësimet!

Rama deklaron se takimet kanë shërbyer për të nisur një “sezon politik me energji të reja”, ndërsa thekson se qeveria do të vijojë punën për objektivin “Shqipëria 2030”.

Shkruar nga Versus

Pas retreat-it në Pogradec, Rama: Sezon politik me energji të reja.

Kryeministri Edi Rama e ka vlerësuar pozitivisht bilancin e dy ditëve të takimeve të zhvilluara në Pogradec me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe ministrat e kabinetit qeveritar.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama deklaron se takimet kanë shërbyer për të nisur një “sezon politik me energji të reja”, ndërsa thekson se qeveria do të vijojë punën për objektivin “Shqipëria 2030”.

“Ndjesia e mirë e një sezoni politik me energji të reja dhe të tjerë hapa vendimtarë drejt Shqipëri 2030, ku rritja cilësore e ndërveprimeve me njerëzit do të jetë domethënëse, buron edhe nga fakti i angazhimit e reflektimit serioz që mori formë në dy ditët e maratonës së Pogradecit”, shkruan kryeministri.

Takimet u zhvilluan në një format dyditor. Në ditën e parë, Rama mblodhi drejtuesit politikë të PS-së në qarqe dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare. Diskutimet u fokusuan te organizimi i strukturave, komunikimi me qytetarët dhe dokumentet e punës “Besa” dhe “Prania Besnike”.

Në këtë takim u prezantua edhe “Pasqyrë Albania”, një mekanizëm i ri për ndjekjen e kërkesave dhe problematikave të qytetarëve.

Dita e dytë iu kushtua ministrave të kabinetit, të cilët raportuan mbi punën e dikastereve, rezultatet e arritura dhe problematikat e evidentuara.

Rama kërkoi reflektim dhe përmirësim të performancës së qeverisë, ndërsa në përfundim të takimeve e lidhi edhe klimën e krijuar nga protestat e muajve të fundit me nevojën për një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe më cilësor me qytetarët./Versus.al

 

Poll