POLITIKË /

Pema 8 metroshe 'e varrosur' në kolektorin e ujërave të zeza, Rama nxjerr pamjet nga Kashari: Dëshmi pse duhej ‘Territorialja’

Rama tha se brenda tubit kryesor të ujërave të zeza, kompania që kreu punimet kishte futur trungun e pemës 8 metra të gjatë.

Shkruar nga Versus

Pema 8 metroshe 'e varrosur' në kolektorin e ujërave të

Kreu i qeverisë Edi Rama ka ndarë pamjet nga një ngjarje e pazakontë e zbuluar në Kashar të Tiranës ku një pemë 8 metër e gjatë u gjet në kanalin e ujërave të zeza.

Rama shkruan se në këtë zonë sa herë kishte reshje shiu, shpërthenin ujërat e zeza. Sipas tij kamerat speciale nëntokësore zbuluan se brenda tubit kryesor të ujërave të zeza ishte futur trungu I pemës. Më tej shkruan se vetë kompania që ka prerë pemën, e ka futur në tubin e ujërave të zeza.

“Se çfare u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe e zbatuan këtë veprim kriminal vetëm Zoti e di, por kjo është edhe një kujtesë shumë konkrete për të gjithë ata që kanë harruar pse Shqipërisë i duhej Reforma Territoriale”, shkroi ai ndër të tjera.

 

Postimi i plotë:

NJË PEMË 8 METROSHE U ZBULUA E “VARROSUR” NË KOLEKTORIN E UJËRAVE TË ZEZA

Për më shumë se një dekadë, sa herë binte një shi sado i shkurtër, ujërat e zeza merrnin mbarë bulevardin e Kasharit dhe shpërthenin nëpër lagje. Preventiva, ndërhyrje, rindërhyrje të pasuksesshme derisa dje u zbulua shkaku i vërtetë dhe i pabesueshëm i bereqetit të zi që sillte shiu sa herë binte mbi Kashar, ku përpara Reformës së Parë Territoriale, Komuna e Kasharit, një bastion krenar i demokratëve, ndërtoi kolektorin kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit.

Kamerat speciale nëntokësore hynë brenda në kolektor dhe gjetën aty atë që zor se mund ta kapte edhe fantazia më e shfrenuar: Një trung peme 8 metrosh i shtrirë brenda tubit kryesor të ujërave të zeza

Pra gjatë punimeve, një çinar i madh, 8 metra i gjatë që gjendej atypari, u pre dhe, në vend që të largohej nga kantieri, u “varros” brenda kolektorit!

Se çfare u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe e zbatuan këtë veprim kriminal vetëm Zoti e di, por kjo është edhe një kujtesë shumë konkrete për të gjithë ata që kanë harruar pse Shqipërisë i duhej Reforma Territoriale.

Sot pema është nxjerrë. Kolektori është çliruar. Dhe banorët e Kasharit nuk do ta kenë më taksiratin e faturës së një poshtërsie kriminale si ajo që i torturoi për më shumë se dhjetë vjet.

Shqipëria e re nuk është vetëm Europa e Ballkanit që po ndërtojmë, po edhe ajo që zbulon, pastron dhe korrigjon deformimet e mbetura ende në rrugën tonë nga Gropa e Zezë e Ballkanit që ky vend ishte kur ne morëm detyrën

Poll