
Pas denoncimit të Arjan Konomit për dhunën e ushtruar nga truprojat e tij dhe shoqërimin në komisariat vetëm se kërkoi llogari mbi bllokimin e rrugës nga eskorta e Ramës, kryeministri ka publikuar në rrjete sociale një pjesë të videos që kishte filmuar Konomi.
Duke e konsideruar ''fantazi'' pretendimin e Konomit, Rama tha se ky i fundit kishte shkuar në tavolinën ku ai ishte ulur me familjarët e tij dhe kishte nisur të ofendonte.
''JA QË PËR FAT TË MIRË KA EDHE NJË VIDEO TJETËR, e cila tregon krejt të kundërtën e videos që një dhunues i lirisë së të tjerëve paska vrapuar të tregojë botërisht, duke bërë para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar, duke shfrenuar fantazinë dhe duke sharë si i përdalë një grua e një nënë, të cilën e bullizoi bashkë me fëmijën e saj në mes të rrugës - ku ngjarja u zhvillua krejt ndryshe nga rrëfimi në pasqyrë dhe u përhap pastaj në kanalet sociale si një tjetër gënjeshtër e madhe e luftës liridashëse kundër regjimit imagjinar
*Fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës, po imagjinojeni se sa herë të tjera gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën nëpër pasqyrat ku kujtojmë se informohemi''- shkruan Rama krahas videos së shkëputur të publikuar në rrjete sociale.
Arjan Konomi pretendoi se pasi gardistët e shoqëruan, Rama i mori telefonin dhe i fshiu videon nga telefoni i tij. Konflikti nisi pas revoltës së Konomit i cili tha se ndërsa banorëtr e Vunoit ishin gjobitur nga policia, eskorta e kryeministrit kishte bllokuar rrugën dhe policia nuk kishte marrë asnjë masë. Versus.al


