
Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë ka kërkuar ndërhyrjen e Këshillit të Europës për monitorimin e procesit të rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.
Përmes një letre urgjente drejtuar Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Shoqata kërkon gjithashtu zhvillimin e një takimi të posaçëm për të diskutuar shqetësimet lidhur me mënyrën se si po zhvillohet procesi.
Në dokumentin e firmosur nga kryetari Fisnik Qosja dhe drejtori ekzekutiv Arlind Hoxha, thuhet se komisioni parlamentar e ka përmbyllur punën pa u realizuar të gjitha fazat e parashikuara në kalendarin zyrtar.
Sipas Shoqatës, nga 16 aktivitetet e planifikuara, deri tani janë zhvilluar vetëm analizat paraprake dhe raundi i parë i konsultimeve në qarqe.
Ndërkohë, nuk janë zhvilluar raundet e dyta dhe të treta të konsultimeve, sondazhi publik, takimet me institucionet ndërkombëtare, si dhe nuk është publikuar dokumenti politik që duhet të paraqesë alternativat e reformës.
Shoqata thekson se nuk po mban qëndrim për numrin e bashkive apo hartën e re territoriale, por kërkon që çdo ndryshim të jetë rezultat i një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet europiane për autonominë vendore.
Në letër ngrihet edhe çështja e mungesës së dëgjesës së parashikuar me Bashkinë e Tiranës, ndërsa përmenden kundërshtimet dhe protestat në disa bashki që preken nga propozimet për reduktimin e njësive vendore.
Shoqata i kërkon Këshillit të Europës të vlerësojë nëse procesi ka respektuar standardet e konsultimit, pjesëmarrjes dhe konsensusit./Versus.al

