POLITIKË /

Rama fton të rinjtë të bëhen pjesë e administratës publike, procedurat dhe kriteret e aplikimit

Thirrja u drejtohet profesionistëve me aftësi në komunikim, media, rrjete sociale, teknologji, inteligjencë artificiale, video, dizajn, të dhëna dhe formate të reja komunikimi.

Shkruar nga Versus

Rama fton të rinjtë të bëhen pjesë e administratës

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për profesionistë, të rinj, ekspertë dhe krijues që duan të kontribuojnë në komunikimin publik, përmes hapjes së “Rrjetit MIA”.

Nisma është ndërmarrë nga Agjencia për Media dhe Informim (MIA), në kuadër të ndryshimeve të paralajmëruara nga Rama për atë që e ka cilësuar “Kthesa e Mandatit të Katërt”.

Sipas njoftimit të kryeministrit, të interesuarit kanë dy mundësi për t’u bërë pjesë e rrjetit: të punojnë në strukturat e komunikimit të institucioneve qendrore ose të bashkëpunojnë me Agjencinë për Media dhe Informim duke propozuar ide, projekte apo zgjidhje konkrete për përmirësimin e komunikimit të institucioneve me qytetarët.

Thirrja u drejtohet profesionistëve me aftësi në komunikim, media, rrjete sociale, teknologji, inteligjencë artificiale, video, dizajn, të dhëna dhe formate të reja komunikimi.

“Duam të dimë çfarë mund të bëhet më mirë nesër”, shkruan Rama në njoftimin për hapjen e “Rrjetit MIA”.

Të interesuarit mund të aplikojnë duke dërguar materialet në adresën [email protected], ndërsa krahas aplikimit kërkohet edhe një video deri në 60 sekonda, në të cilën prezantohet ideja e aplikantit.

Aplikimet do të jenë të hapura deri më 10 shtator 2026, në orën 23:00.

Nisma synon të zgjerojë bazën e profesionistëve dhe krijuesve që mund të kontribuojnë në mënyrën se si institucionet publike komunikojnë me qytetarët, përmes ideve dhe formateve të reja.

Poll