
Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë të enjten, më 3 shtator, ministrat dhe Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste në një takim në Pallatin e Brigadave.
Mbledhja është parashikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa njoftimi për deputetët është përcjellë nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Takimi zhvillohet në nisje të sezonit të ri politik dhe vjen pas mbledhjeve që Rama ka zhvilluar me ministrat dhe drejtuesit politikë të PS-së në Pogradec dhe Sauk.
Sipas informacioneve, një prej temave që do të jetë në fokus të diskutimeve është edhe “Praninë Besnike”, ndërsa pritet të përcaktohen prioritetet e mazhorancës për muajt në vijim.
Ndërkohë, më 12 shtator socialistët pritet të zhvillojnë Asamblenë Kombëtare. Në këtë mbledhje mund të diskutohen edhe ndryshime në kabinetin qeveritar, pasi prej ditësh kanë qarkulluar zëra për një riformatim të mundshëm të qeverisë.
Në takimin e fundit në Sauk, Rama u ka kërkuar ministrave dhe drejtuesve politikë të qarqeve që të fokusohen te platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon të mbledhë dhe të ndjekë në kohë reale ankesat dhe kërkesat e qytetarëve ndaj administratës publike.
Në fokus të porosive të kryeministrit ka qenë edhe dokumenti strategjik “Besa”./Versus.al

