Ka përfunduar takimi i kryeministrit Edi Rama me drejtuesit politikë dhe deputetët socialistë, i zhvilluar në Vilën e Kuqe, ku fokusi kryesor ishte puna në terren dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët.
Gjatë takimit, Rama u ka kërkuar socialistëve të shtojnë praninë në terren dhe të jenë më pranë qytetarëve, duke mbledhur problematikat dhe shqetësimet e tyre.
Drejtuesit politikë, strukturat e PS-së në qarqe, deputetët dhe kryetarët e bashkive do të hartojnë një plan për takimet me qytetarët dhe evidentimin e problematikave. Më pas, shqetësimet do të ndahen sipas fushave dhe do t’u përcillen ministrave përkatës.
Për ndjekjen e zgjidhjes së problematikave do të delegohet edhe një zëvendësministër.
Një tjetër porosi e Ramës ka qenë që takimet me qytetarët të mos zhvillohen domosdoshmërisht me kamera, duke kërkuar që fokusi të jetë te komunikimi i drejtpërdrejtë dhe dëgjimi i shqetësimeve të tyre.
Ndërkohë, ende nuk është përcaktuar një datë për mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste.
Të shtunën, kryeministri Rama pritet të zhvillojë një tjetër takim me drejtuesit politikë dhe deputetët e Tiranës, në periferi të kryeqytetit./Versus.al

