
Kryeministri Edi Rama ka përmbyllur ditën e parë të takimeve dyditore në Pogradec me ministrat e kabinetit dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ku në fokus kanë qenë prioritetet për sezonin e ri politik.
Në një përmbledhje të diskutimeve, Rama tha se gjatë takimit është diskutuar për dokumentin “Besa”, si dhe për mënyrën e re të komunikimit të qeverisë me qytetarët.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte “Pasqyra Albania”, një platformë ku qytetarët pritet të kenë të aksesueshme të gjitha institucionet dhe shërbimet e tyre.
Rama tha se synimi është që çdo kërkesë, shqetësim apo problem i qytetarëve të mund të ndiqet në kohë reale, në mënyrë të ngjashme me gjurmimin e një pakoje postare. Sipas tij, edhe institucionet do të jenë në gjendje të ndjekin përgjegjësitë e tyre dhe të evidentojnë çdo rast kur tejkalohen afatet.
Kryeministri theksoi se diskutimet në Pogradec janë pjesë e përgatitjeve për sezonin e ri politik, me fokus te përmirësimi i funksionimit të qeverisjes dhe komunikimit me qytetarët.
Rama: Nga Pogradeci, kur dielli po perëndon mbi liqen, aty ku Lasgushi gjente frymëzimet e veta magjepsëse dhe aty ku ne u përpoqëm të mbledhim së bashku reflektimet e një periudhe pushimesh aktive, të lidhur me sezonin e ri politik, kemi diskutuar për “Besën”, kemi diskutuar për praninë besnike; kemi diskutuar për ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë, jo në kuptimin thjesht të komunikimit publik, por të komunikimit me qytetarin; kemi diskutuar edhe për pasqyrën unike, “Pasqyrë Albania”, ku qytetarët do të kenë të pranishme të gjitha institucionet dhe ku ambicia është që, më herët se vonë, të arrijmë pikën që çdo kërkesë, çdo shqetësim, çdo hall i qytetarit drejtuar institucioneve të jetë si një pako postale, statusi i së cilës ndiqet në kohë reale nga dërguesi dhe, nga ana tjetër, shteti, qeveria, institucionet ndjekin përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë./Versus.al

