
Kryeministri Edi Rama do ta nisë të dielën retreat-in e Partisë Socialiste në Pogradec, me fokus fillimisht te organizimi dhe çështjet e partisë, ndërsa në qendër të diskutimeve do të jetë edhe agjenda parlamentare.
Në orën 11:30, drejtuesit politikë të PS-së dhe kryetarët e komisioneve parlamentare pritet të marrin porositë dhe vërejtjet e kreut të partisë për nisjen e sesionit të ri politik.
Një prej sfidave kryesore për socialistët pritet të jetë reforma territoriale, për të cilën mazhoranca po përballet me kundërshti. Në axhendë pritet të jetë edhe reforma zgjedhore, si dhe një sërë ligjesh që lidhen me procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Ndërkohë, krahas punës parlamentare, Partia Socialiste pritet të nisë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore. Objektivi i mazhorancës është ruajtja e pushtetit vendor, me drejtuesit politikë që pritet të paraqesin të dhëna dhe matje të opinionit publik për zonat që mbulojnë, veçanërisht aty ku pritet të ketë ndryshime pas reformës territoriale.
Një tjetër pikë diskutimi do të jetë përcaktimi i parimeve për përzgjedhjen e kandidatëve të PS-së për kryetarë bashkish. Brenda socialistëve kanë nisur prej kohësh diskutimet për emrat që mund të garojnë, ndërsa disa prej drejtuesve lokalë pritet të kërkojnë rikonfirmimin e tyre.
Të hënën, në Pogradec do të jenë ministrat e kabinetit qeveritar, të cilët do të paraqesin analizën e punës së bërë dhe objektivat për vitin e dytë të mandatit të katërt të qeverisë Rama. Disa prej ministrave do të qëndrojnë për dy ditë, pasi mbajnë edhe funksionin e drejtuesit politik të qarqeve.
Retreat-i pritet të shërbejë edhe si një moment vlerësimi për performancën e ministrave dhe drejtuesve politikë, ndërsa brenda PS-së mbetet edhe pikëpyetja nëse do të ketë ndryshime në poste pas analizës së qeverisjes./Versus.al

