
Kryeministri Edi Rama ka pritur në ambientet e Kryeministrisë kampionin shqiptar të boksit, Nelson Hysa, pas fitores së tij të fundit në ring.
Hysa triumfoi ndaj norvegjezit Thomas Narmo brenda dy raundeve, duke mbrojtur titullin dhe duke ruajtur rekordin e tij të pamposhtur. Pas kësaj sfide, bilanci i tij shkon në 25 fitore dhe asnjë humbje.
Gjatë takimit, boksieri shqiptar i dhuroi Ramës një palë doreza boksi. Kryeministri nuk ngurroi t’i provonte ato, ndërsa takimi u shoqërua edhe me batuta.
Duke iu referuar me humor një dëmtimi në hundë, Rama tha: “Hundën time e thyen demokratët.”
Rama e ka shoqëruar takimin edhe me një postim në rrjetet sociale, ku shkroi:
“Nelsoni, the Albanian Eagle që nuk njeh humbje dhe unë bashkë me demokratin Zef Gjoni që luftojmë veç për fitore”.
Gjatë bisedës, Hysa foli për ndeshjen e fundit dhe vështirësitë e përballjes me norvegjezin. Ai tregoi se ishte rikthyer në ring pas një pauze 11-mujore, ndërsa kundërshtari ishte 7 centimetra më i gjatë dhe më i rëndë në peshë.
“Norvegjez, 7 cm më i gjatë, më i rëndë në peshë. Ishte favorit, të them të drejtën. E kishin zgjedhur të më merrte titullin. Fatmirësisht shkoi mirë. E humba raundin e parë, por raundi i dytë shkoi mbarë e mirë”, tha Hysa.
Fitorja ndaj Narmos e mban Nelson Hysën të pamposhtur në karrierën e tij, me 25 fitore në 25 ndeshje./Versus.al

