
Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas flakëve të frikshme që rrezikuan qytetin e Krujës mbrëmjen e djeshme duke bërë që qindra banorë e pacientë të evakuoheshin. Rama shkroi se zjarrfikësit dhe efektivët e FA u përballën me heroizëm me flakët duke shmangur pasoja tragjike.
Ndërsa shpërndau edhe një mesazh që i kishin dërguar mbrëmjen e djeshme duke treguar se banorët e zonës nuk kishin qenë të vetëm përballë flakëve.
''Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Europës në këtë verë përvëluese. Respekt dhe mirënjohje për heronjtë tanë të vijës së zjarreve të këtij gushti sfidues, ku mbrëmë banorët e Krujës panë se nuk ishin vetën në orët e tyre tejet të vështira, siç dëshmon edhe ky mesazh ndër disa që më dërguan mbrëmë në orët e natës: “Zoti Kryeminister ! Ju lutem zjarri po merr permasa te medha ne Kruje! Po punojne si heronj Zoti ia shperblefte ...por era po e perhap me shume shpejtesi .ne eshte e mundur per perforcime te tjera ..shteti eshte ne kembe i teri''-shkroi Rama në rrjetin social X. Versus.al


