POLITIKË /

Rama vijon turin e takimeve, sot mbledh deputetët e Tiranës. Në fokus gara për bashkinë

Shkruar nga Versus

Rama vijon turin e takimeve, sot mbledh deputetët e Tiranës. Në

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot në orën 11:00 një drekë pune me drejtuesit politikë dhe deputetët e Partisë Socialiste në Tiranë.

Takimi do të mbahet në një nga restorantet në periferi të kryeqytetit dhe vjen pas një serie mbledhjesh të zhvilluara nga kreu i PS-së me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve.

Në fokus të diskutimeve pritet të jetë strategjia e re e Partisë Socialiste për komunikimin me qytetarët dhe organizimin e strukturave në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit 2027.

Takimi zhvillohet një ditë pas zhvillimeve të fundit në Bashkinë e Tiranës, ku Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, la detyrën pa një kryetar të komanduar.

Ndërkohë, gara për kandidatin e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës ka nisur të diskutohet brenda radhëve të socialistëve.

Mes emrave të përmendur është Ogerta Manastirliu, ndërsa deputeti socialist Erion Braçe ka shprehur hapur gatishmërinë për të garuar.

Braçe ka kërkuar në mënyrë të përsëritur që përzgjedhja e kandidatit të bëhet përmes një gare brenda partisë, duke argumentuar se kandidati për Bashkinë e Tiranës duhet të dalë nga një proces konkurrues./Versus.al

 

 

Poll