
Kreu i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, ka deklaruar se për reformën territoriale ende nuk është marrë një vendim përfundimtar dhe se konsultimet vijojnë.
Nga Pogradeci ku ndodhej për një aktivitet, Tarran theksoi para medias se vendimi për numrin e bashkive nuk i takon ndërkombëtarëve, por vetë shqiptarëve.
“Numrin e bashkive nuk mund ta vendosë as OSBE-ja dhe as BE-ja. Këtë duhet ta bëjnë vetë shqiptarët.”
Ndërkohë, sipas burimeve pranë Kuvendit, në takimet me dyer të mbyllura ndërkombëtarët kanë vënë theksin te standardet dhe mënyra se si duhet të realizohen reformat, përfshirë reformën territoriale dhe atë zgjedhore.
Po sipas burimeve, ambasadorja e re e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sophia Moreira de Sousa, i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit që, në cilësinë e drejtuesit të këtij institucioni, të ndikojë në krijimin e hapësirave për dialog politik.
Ambasadorja ka nënvizuar gjithashtu rolin e rëndësishëm të Parlamentit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Reforma territoriale pritet të jetë një nga çështjet kryesore të debatit politik në muajt në vijim, ndërsa palët kanë qëndrime të ndryshme lidhur me numrin e bashkive dhe mënyrën se si duhet të riorganizohet pushteti vendor./Versus.al
View this post on Instagram

