
Ndryshimi i hartës administrativo-territoriale pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka kërkuar kohë të mjaftueshme për përgatitjen e procesit zgjedhor në rast të miratimit të një ndarjeje të re territoriale.
Celibashi tha se KQZ-së do t’i nevojiteshin më shumë se 6 muaj për të përgatitur infrastrukturën, logjistikën dhe organizimin e zgjedhjeve në një terren të ri.
“Do të ishte mirë që koha në dispozicion të jetë më shumë se 6 muaj, 7 muaj, 8 muaj, 9 muaj dhe nuk e di sa kohë praktikisht do të ngelet dhe nuk mund ta them sot se sa mund të afektojë në cilësinë e përgatitjeve, nga pikëpamja infrastrukturore, logjistike, organizative të zgjedhjeve të ardhshme”, u shpreh Celibashi.
Kryetari i KQZ-së theksoi se një nga momentet kyçe do të jetë dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës.
Sipas tij, mbetet e paqartë se çfarë pasojash ligjore do të kishte nëse reforma territoriale do të miratohej nga Kuvendi pasi Presidenti të ketë dekretuar datën e zgjedhjeve.
“Nuk mund ta them dot qartësisht tani dhe me bindje se çfarë implikimesh ligjore do të kishte nëse Kuvendi do ta miratonte ndarjen e re territoriale pasi Presidenti i Republikës të shpallë datën e zgjedhjeve”, deklaroi Celibashi.
Ai tha se KQZ-ja ka nevojë për qartësi në lidhje me ndarjen e re, pa u fokusuar në numrin e bashkive që do të krijohen.
Ndërkohë, 15 bashki kanë kundërshtuar hartën e re territoriale përmes protestave, ndërsa opozita kërkon që ndryshimi të vendoset përmes referendumit.
Për këtë skenar, Celibashi vuri në dukje se ekzistojnë kufizime kohore dhe procedurale.
“Ti nuk mund të zhvillosh referendume në ditën e zgjedhjeve, qoftë zgjedhjeve për Kuvend apo zgjedhjeve të organeve të qeverisjes vendore”, tha ai, duke shtuar se për kushtetutshmërinë e një kërkese për referendum do të duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Harta e re administrativo-territoriale ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit publik. Socialistët synojnë që propozimi të miratohet në Kuvend në tetor, muaj që përkon edhe me afatin kur Presidenti duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore të vitit 2027 duhet të zhvillohen në një nga të dielat e periudhës 15 prill–15 maj./TCH

