
Kreu i qeverisë, Edi Rama nëpërmjet një videoje në rrjetet sociale foli lidhur me rezultatet e testit PISA sa u takon nxënësve shqiptarë. Rama tha se Shqipëria renditet e para në rajon dhe e konsideroi këtë si një arritje të madhe për ministrinë e Arsimit.
“Kemi dalë si asnjëherë më mirë në testin PISA 2025, një test i cili përcakton nivelin e të nxënit për fëmijët e arsimit parauniversitar në matematikë, shkencë dhe lexim dhe jo vetëm kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm pas atij momenti çorodie që shkaktoi Covidi dhe të gjitha vendet ranë dhe ne patëm një rënie të ndjeshme që na dha një shuplakë pas një periudhe të mëparshme rritjeje.
Sot jemi faktikisht të parët në rajon duke zënë vendin që kemi ambicie të zëmë në çdo drejtim dhe sektor, por që në këtë rast i bën një nder shumë të madh, jo qeverisë, por të gjithë atyre që kanë në duar fëmijët tanë.
Një lehtësi psikologjike për prindërit e mbytur nga balta, nga jargët e gjithëçfarëlloj vemje në kanalet sociale që nuk lënë orë e minutë pa nxjerrë e jashtënxjerrë helm për çdo gjë, por që natyrisht ngarkojnë psikologjikisht gjithë popullatën. Është rezultat fantastik dhe inkurajues i jashtëzakonshëm. Flet për punën shumë të mirë të bërë nga ministria e Arsimit”- tha Rama. Versus.al

