POLITIKË /

"Shqipëria në momentin e saj më të mirë", Rama për Financial Times: Kemi rrugë të qartë drejt BE

Shkruar nga Versus

"Shqipëria në momentin e saj më të mirë",

Një muaj pas intervistës së bujshme ku deklaronte se ai “nuk është kumbari”, kryeministri Edi Rama ka dhënë një tjetër intervistë për Financial Times në kuadër të ecurisë së procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Duke theksuar se vendi ka një rrugë të qartë drejt BE, Rama pretendoi se Shqipëria është në momentin e saj më të mirë.

“Kemi një rrugë të qartë drejt Bashkimit Evropian. Vendi është në momentin më të mirë në shumë aspekte”, shprehet Kryeministri Rama, ndërsa Financial Times evidenton Shqipërinë mes vendeve kandidate që po avancojnë konkretisht në procesin e reformave dhe negociatave.

Ndërsa gazeta londineze e vendos Malin e Zi në pozicionin më të mirë për anëtarësim, thekson se Shqipëria ka mbyllur me shpejtësi kapitujt e parë të negociatave.

Në artikullin e FT, komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, argumenton se zgjerimi nuk shihet më vetëm si një proces ekonomik, por gjithnjë e më shumë si një çështje sigurie.

“Zgjerimi nuk është më vetëm që vendet kandidate të arrijnë nivelin tonë. Sot ai është edhe një politikë sigurie. Ka të bëjë me mënyrën se si ne, evropianët, mund të punojmë së bashku në realitetin e ri botëror”, shprehet Kos.

Megjithatë, analiza thekson se brenda Bashkimit Evropian vazhdojnë të ekzistojnë dilema për mënyrën se si duhet të zhvillohet zgjerimi.

Franca dhe Gjermania kanë propozuar një model integrimi gradual, ku vendet kandidate do të përfitonin pjesërisht nga anëtarësimi gjatë zbatimit të reformave, ndërsa disa vende kandidate kanë shprehur shqetësimin se kjo mund ta zgjasë edhe më shumë procesin.

Sipas Financial Times, muajt e mbetur të vitit 2026 konsiderohen vendimtarë për të ardhmen e zgjerimit. Versus.al

Poll