
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Klodiana Spahiu, ka zhvilluar këtë të hënë një takim me Paolo Zampollin, të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit amerikan Donald Trump.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spahiu bëri të ditur se takimi ishte “tejet miqësor dhe konstruktiv”, ndërsa në fokus ishin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Sipas ministres, gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e aleancës strategjike mes dy vendeve, si dhe për mundësinë e krijimit të partneriteteve konkrete në sektorë të ndryshëm, në funksion të zhvillimit të Shqipërisë dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Spahiu theksoi se Shqipëria dhe SHBA-ja kanë një partneritet të fortë, të mbështetur në vlera dhe interesa të përbashkëta.
Një tjetër çështje e përmendur prej saj ishte Samiti i NATO-s që pritet të zhvillohet në Shqipëri vitin e ardhshëm.
Sipas ministres së Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, organizimi i samitit në vendin tonë dëshmon rolin në rritje të Shqipërisë si partnere e Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe angazhimin e saj për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

