POLITIKË /

Synon të afrojë demokratët dhe qytetarët, Pas “Pasqyrës” së Ramës, Berisha krijon platformën “Agora PD”

Shkruar nga Versus
Synon të afrojë demokratët dhe qytetarët, Pas
Sali Berisha

Pas platformës së prezantuar së fundmi nga kryeministri Edi Rama, “Pasqyrë Albania”, edhe Partia Demokratike pritet të lançojë një nismë të re për komunikimin dhe organizimin politik.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, do të prezantojë më 27 gusht, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, platformën “Agora PD”, e cila është përgatitur gjatë muajve të verës.

Sipas dokumentit të platformës, “Agora PD” synon të shërbejë si një lloj sistemi operacional i Partisë Demokratike, duke bashkuar në një hapësirë të vetme komunikimin, organizimin, koordinimin dhe përfshirjen e qytetarëve.

Platforma parashikon një komunikim më të unifikuar të strukturave të PD-së, me mesazhe të përbashkëta, materiale zyrtare dhe rekomandime për mënyrën e komunikimit, nga drejtimi qendror deri te degët lokale.

Një tjetër element i saj do të jetë vlerësimi i angazhimit të anëtarëve dhe funksionarëve të partisë. Sipas dokumentit, kontributet organizative dhe publike do të regjistrohen në mënyrë të strukturuar, me synimin që puna dhe angazhimi i secilit të evidentohen.

“Agora PD” do të përfshijë gjithashtu monitorimin e rrjeteve sociale dhe mediave, me fokus te shqetësimet dhe problematikat që qytetarët shprehin online. Këto të dhëna synohet të përdoren për orientimin e axhendës dhe komunikimit politik të opozitës.

Nisma vjen në një moment kur PD-ja synon të forcojë organizimin e saj në terren dhe të rrisë komunikimin me bazën dhe qytetarët, ndërsa zgjedhjet e ardhshme vendore afrohen.

Krijimi i “Agora PD” vjen pak kohë pas lançimit nga Rama të “Pasqyrë Albania”, platformë përmes së cilës qeveria synon të monitorojë problematikat e qytetarëve dhe mënyrën se si institucionet u përgjigjen atyre.

Dy nismat politike shfaqen në një klimë të tensionuar politike, ku prej muajsh vijon protesta në Tiranë, me kërkesa që lidhen edhe me ndryshimin e klasës politike dhe mënyrën e qeverisjes./Versus.al

Poll