POLITIKË /

“Urrejtja shet”, autori izraelit shpjegon algoritmet e rrjeteve sociale/ Rama: Një nga mendjet më largpamëse të botës së sotme!

Në video, Harari shpjegon mënyrën se si funksionojnë algoritmet e platformave të mëdha sociale, duke argumentuar se qëllimi i tyre kryesor nuk është domosdoshmërisht promovimi i së vërtetës, por rritja e angazhimit të përdoruesve.

Shkruar nga Versus
“Urrejtja shet”, autori izraelit shpjegon algoritmet e rrjeteve
Yuval Noah Harari/ Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video të historianit dhe autorit  izraelit Yuval Noah Harari, duke e cilësuar atë si “një nga mendjet më largpamëse të botës së sotme”.

Në video, Harari shpjegon mënyrën se si funksionojnë algoritmet e platformave të mëdha sociale, duke argumentuar se qëllimi i tyre kryesor nuk është domosdoshmërisht promovimi i së vërtetës, por rritja e angazhimit të përdoruesve.

Sipas tij, platformat si Facebook, X dhe TikTok janë krijuar për t’i mbajtur njerëzit sa më gjatë online dhe për t’i nxitur të reagojnë, komentojnë apo shpërndajnë përmbajtje.

Harari thekson se algoritmet kanë zbuluar se emocionet më të forta, si frika, urrejtja, zemërimi dhe lakmia, janë ndër mënyrat më efektive për të tërhequr vëmendjen dhe për të rritur ndërveprimin.

Ai paralajmëron se kjo mënyrë funksionimi mund të krijojë një perceptim të deformuar të realitetit, duke e kthyer hapësirën publike në një mjedis ku konfliktet dhe polarizimi marrin më shumë vëmendje.

“Nuk jemi ndërtuar për të qenë gjatë gjithë kohës të eksituar. Unë do të doja të takoja njerëz që më bëjnë të ndihem i qetë, jo domosdoshmërisht të eksituar”, shprehet Harari.

Duke iu referuar edhe politikës, ai argumenton se një pjesë e debatit publik në botë është përfshirë nga një gjendje e vazhdueshme tensioni dhe polarizimi.

"Algoritmet e rrjeteve sociale iu dha si objektiv jo krijimi i besimit jo i krijimi i së vërtetës, por krijimi i angazhimit. Objektivi që iu dha algoritmit të Facebook-ut, algoritmit të X-it, Tik-tokut është të rritet ndërveprimi i përdoruesve. Dhe kjo tingëllon bukur. ‘Angazhim’ duket si diçka e mirë, por ajo që do të thotë në të vërtetë është se algoritmet eksperimentuan mbi miliona e miliarda njerëz si mbi kavie njerëzore për të parë si t’i bëjmë njerëzit më të angazhuar, si t’i bëjmë njerëzit të kalojnë më shumë kohë në platformë dhe të reagojnë më shumë ndaj saj, për shembull të ndajnë përmbajtjen me miqtë e tyre, dhe zbuluan se mënyra më e lehtë për t’i bërë njerëzit të angazhohen është të shtypësh butonin e urrejtjes ose butonin e lakmisë ose butonin e frikës në mendjen e tyre ,në mendjen njerëzore, sepse urrejtja është jashtëzakonisht angazhuese, frika është jashtëzakonisht angazhuese. Nëse diçka kërcënon jetën tënde, menjëherë je i angazhuar, dhe kështu ata e kanë përmbytur botën. Me urrejtje, frikë, zemërim dhe lakmi.

Sot jetojmë në një botë hiper të angazhuar. ‘Angazhimi është kushëri i afërt me një fjalë tjetër që sot është bërë shumë dominuese që është ‘eksitimi’ që në thelb do të thotë që sistemi yt nervor është vazhdimisht në një nivel shumë të lartë aktivizimi. Natyrisht eksitomi është i mirë në situata të caktuara deri në një farë mase, ashtu si edhe angazhimi është i mirë në situata të caktuara por biologjikisht një organizëm që qëndron i eksituar gjatë gjithë kohës në fund organizmi shembet dhe vdes. Nuk jemi ndërtuar për të qenë gjatë gjithë kohës të eksituar. Unë do të doja të takoja njerëz që më bëjnë të ndihem i qetë, jo domosdoshmërisht të eksituar. Pastaj shikon politikën amerikane, atë izraelite apo thjesht gjithë botën. E gjithë bota është tepër e eksituar” shprehet Harari në videon e shpërndarë nga Rama këtë të dielë. /Versus.al

Poll