POLITIKË /

Veliaj shkarkoi kryetaren e komanduar të bashkisë nga burgu, Berisha: Largimi i Anuela Ristanit, sulm i hapur ndaj Ramës

Berisha deklaroi se vendimi i Veliajt për të sfiduar vendimmarrjen e mazhorancës në Bashkinë e Tiranës përbën “fillimin e hapur të sulmit” ndaj kryeministrit.

Shkruar nga Versus

Veliaj shkarkoi kryetaren e komanduar të bashkisë nga burgu, Berisha:

Kreu i PD, Sali Berisha, ka komentuar vendimin e Erion Veliajt për të shkarkuar nga qelia kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristanin.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook, Berisha e cilësoi këtë veprim si një tregues të dobësimit politik të kryeministrit Edi Rama, duke e interpretuar si shenjë të një përplasjeje të hapur mes dy figurave të Partisë Socialiste.

“Akti i djeshëm i Erion Veliajt dëshmon që Edi Rama po bëhet një kalë i ngordhur që dalin tani t’ia heqin edhe patkojtë”, tha Berisha.

Sipas tij, Rama ndodhet nën presion dhe nuk është më në gjendje të ndërmarrë ndryshimet që paralajmëron.

Berisha deklaroi se vendimi i Veliajt për të sfiduar vendimmarrjen e mazhorancës në Bashkinë e Tiranës përbën “fillimin e hapur të sulmit” ndaj kryeministrit.

“Është fillimi i hapur i sulmit të Erion Veliajt ndaj tij”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha iu referua edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për procedurën e shkarkimit të Veliajt, duke pretenduar se ajo e kishte vlerësuar antikushtetuese procedurën e ndjekur për shkarkimin e tij përmes Këshillit Bashkiak.

Në vijim, Berisha e cilësoi situatën si një betejë mes Ramës dhe Veliajt, ndërsa theksoi se pasojat e kësaj përplasjeje i mbajnë qytetarët e Tiranës.

“Është një betejë mes tyre, por viktimë janë qytetarët e Tiranës. Sa më shumë t’i nxjerrin sytë njeri-tjetrit, aq më shumë e meritojnë”, deklaroi Berisha./Versus.al

 

 

Poll