
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur se brenda javëve të ardhshme pritet të përcaktohet kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
I pyetur për Ilir Alimehmetin, si një prej emrave të përfolur për garën në Tiranë, Berisha e cilësoi atë si një personalitet të shquar të PD-së dhe të qytetit të Tiranës.
Megjithatë, ai nuk konfirmoi nëse Alimehmeti do të jetë kandidati i PD-së, duke lënë të hapur garën dhe duke theksuar se vendimi përfundimtar do të merret në javët në vijim.
Berisha tha se PD do të nisë së shpejti përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore, ndërsa procesi i përcaktimit të kandidaturave është në vijim.
I pyetur nëse partia do të zhvillojë primare, lideri demokrat mohoi që të ketë një vendim për heqjen e kësaj procedure.
“Nuk ka asnjë vendim që të përjashtohen primaret. Nuk ka”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se gara për kandidaturën e Bashkisë së Tiranës do të hapet në një moment të afërt, pasi të përfundojë puna për përzgjedhjen e emrave.
Ndërkohë, sa i përket mundësisë që PD të mbështesë një kandidat të pavarur, Berisha tha se kjo çështje do të vendoset gjatë javëve të ardhshme./Versus.al

