
Kryeministri Edi Rama dha sot dy medaljonet e para me rastin e 100-vjetorit për Urdhrin e Skënderbeut, për familjet e dy personaliteteve të ndjera: Artan Lame dhe Filip Rrumbullaku, dy ish-zyrtarë të lartë të shtetit që u ndan nga jeta pak kohë më parë.
“Ashtu siç ka thënë një i mençur, shpërblimi më i madh është virtyt. Krijimi i kancelarisë së urdhrit të medaljeve ishte hapi i parë për të ndaluar denigrimin e mëtejshëm dhe për të hapur rrugën e Evropës. Do të jetë arkiv i gjallë i kontributeve që e bëjnë Shqipërinë më të mirë dhe vatër frymëzuese për të ardhmen dhe brezat e rinj. Me këtë rast, me propozim të Kancelarisë, do dorëzojmë 2 medaljet e para për 2 nga shërbëtorët më të fortë të kësaj rruge, Filip Rrumbullakut dhe Artan Lame. Sonte Republika iu shpreh familjeve të tyre vlerësimet për të ndjerët dhe mbështetjen” tha Rama.
Kryeministri deklaroi se po ringrinin nga hiri edhe njëherë dhe po e rilindnin Urdhrin e Skënderbeut, me një mesazh Evropian.
“Po risjellim përsëri në jetë një mesazh 100 vjeçar. Mesazh që e mbart i gjithë sistemi i urdhrave Evropiane. Respekti fitohet me kontribut dhe përgjegjësi ndaj tij. Për këto arsye, Shqipëria i bashkohet sot atij sistemi pas endjes në rrugën e banalitetit dhe shtigjet pa udhë e urdhri i Skënderbeut rilind sot më 2025, me hirin europian të një amaneti të kthyer në vend. Po e mbyll siç ma ka shënuar Kancelari, Rroftë Urdhri i Skënderbeut, rroftë Republika e Shqipërisë”, u shpreh kryeministri.
Teksa u jepte medaljonet dy familjeve Lame dhe Rrumbullaku, të afërmit e të ndjerëve, e veja dhe vajza, falënderuan për këtë vlerësim autoritetet shtetërore.
“Moment i bukur ngushëllimi për ne dhe familjen tonë, ne jemi krenarë për të dhe besojmë se edhe ai do ishte shumë i lumtur sot”, thanë ata mes të tjerash.
Ai e cilësoi “një mbrëmje solemne, që nderon vlerat kombëtare dhe vlerëson njerëzit që frymëzojnë të tashmen dhe të ardhmen europiane”.
Po mbrëmjen e sotme, me këtë rast u bë edhe dekorimi me të tre urdhrat të 22 personaliteteve të shquara në vend.

