Një anëtar i një grupi shqiptar kriminal, i cili më parë ka kontrabanduar njerëz drejt Britanisë, ka deklaruar se qeveria britanike mund të ndalojë kalimet e paligjshme të vogla në Kanal, por nuk dëshiron ta bëjë.
Në një intervistë për Daily Express, burimi anonim tha se partitë qeverisëse nuk po frenojnë kalimet e vogla sepse ato furnizojnë fuqinë punëtore të vendit.
Ai shtoi se ndalimi i nisjes së mjeteve nga Franca do të ishte i lehtë, pasi ato përdorin vetëm dy-tre pika të njohura të bregdetit francez dhe rrugë të gjurmueshme.
Burimi pranoi se kishte fituar rreth 400,000 paund duke transportuar qindra njerëz në kërkim të një jete më të mirë, përpara se të tërhiqej nga ky aktivitet më herët gjatë këtij viti.
Megjithatë, ai e cilësoi si “qesharake” seri protestash anti-migrantësh përpara hoteleve në Britani ku strehohen kërkues azili, duke argumentuar se shumica e emigrantëve janë të rinj të pafuqishëm, të gatshëm të rrezikojnë jetën për një të ardhme më të mirë.
“Një grua me fëmijë nuk mund të konsiderohet kriminel”, tha ai, duke shtuar se emigrantët nuk janë “problemi kryesor” i Britanisë, siç mendojnë shumë.
Që nga ardhja e qeverisë Labouriste në korrik të vitit të kaluar, rreth 50,000 mjete të vogla kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan Dailymai.
Ministria e Brendshme britanike ka shpallur këtë muaj masa për të goditur promovimin online të kalimeve të paligjshme nga Franca në Britani, por shpërndarësi shqiptar është skeptik se kjo do të funksionojë, pasi shumica e kontrabandistëve operojnë jashtë juridiksionit britanik.
Ai gjithashtu tha se është pothuajse e pamundur të gjurmosh aktivitetet, sepse përdoren adresa dhe numra telefoni të rremë që mund të blihen lehtësisht në tregun e zi. Mbyllja e një platforme ose mënyre komunikimi nuk do të funksiononte, pasi tregtia do të rindërtohej diku tjetër.
Burimi nuk është bindur as nga deklaratat e Kryeministrit Keir Starmer se goditja e grupeve kriminale do të ndalonte mbërritjet e mjeteve të vogla, duke theksuar se për zgjidhjen e problemit duhet bashkëpunimi i më shumë se një vendi.
Ai shtoi se tërheqja e emigrantëve drejt Britanisë ndodh sepse vendi nuk është “i përsosur”, ndërsa boshllëqet në ligj i lejojnë emigrantëve të punojnë pa dokumente të rregullta, veçanërisht në sektorë si ndërtimi.
Kontrabandisti shqiptar pohoi se në Shqipëri kontrabandimi i njerëzve nuk shihet si veprim kriminal, por si një mënyrë për t’u dhënë njerëzve një shans shprese, edhe pse udhëtimi ka rreziqe.
Ai shtoi se raportimet për pasagjerë që mbyten gjatë kalimeve nuk i pengojnë njerëzit, duke treguar dëshpërimin e tyre./Marrë nga Dailymail







