AKTUALITET /

Apeli i GJKKO la në burg Metën, paralajmëron avokati i tij: Kjo histori nuk përfundon këtu!

Në seancën e sotme Apeli i GJKKO miratoi kërkesën e SPAK për vijimin e masës "arrest me burg" ndaj Ilir Metës duke i rrëzuar kërkesën ish-presidentit për ndryshimin e masës së sigurisë.

Shkruar nga Versus
Apeli i GJKKO la në burg Metën, paralajmëron avokati i tij: Kjo
Kujtim Cakrani

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar kërkesën e bërë nga ish-presidenti Ilir Meta për t’u liruar nga qelia e paraburgimit ku po mbahet prej 20 tetorit të 2024-ës. Avokati i tij Kujtim Cakrani e cilësoi vendimin e gjykatës si thellësisht të ndikuar politikisht, ndërsa paralajmëroi se kjo çështje nuk përfundon në këtë instancë.  

“Meta nuk është thjesht një ish-president, por kryetar i partisë së Lirisë, numri dy i opozitës. Kjo nuk është normale, kjo histori nuk përfundon këtu. Edhe këta gjyqtarët që janë këtu nuk u ngritën dot në lartësinë e pozicionit të tyre.

SPAK nuk tha asgjë, prokurori tha vetëm se presidenti duhet të qëndrojë në paraburgim. Kaq ka thënë dhe është ulur, unë kam folur rreth 40 minuta. Është keqardhje e madhe kjo, mos të mendojnë se tallen me ne. Të paktën me mua nuk kanë shanse të tallen se vij e bëj procedurën”- tha Cakrani para mediave.

Irena Gjoka do të jetë gjyqtarja e posaçme e cila do të vendosë nëse dosja e Metës do të kalojë për gjykim, do të kthehet për plotësim hetimesh apo do të pushohet. Gjoka është akuzuar vazhdimisht nga Berisha si e ndikuar politikisht në vendimet e saj duke pretenduar se ka fshehur edhe një dënim të marrë në Greqi për falsifikim dokumentesh. 

Më 29 gusht të këtij vitit SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve për dosjen e Metës mbi aferën ‘CEZ-DIA’ dhe lobimin e ish-LSI-së në SHBA. Ilir Meta akuzohet për korrupsion pasvi, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa të pandehur janë marrë edhe Monika Kryemadhi për të njëjtat vepra penale, nëna e saj Fatime Kryemadhi dhe financierja Ema Çoku për pastrim parash si dhe Pirro Xhixho për korrupsion pasiv. Versus.al

Poll