AKTUALITET /

Del VIDEOJA, momenti kur ekzekutohet Edmond Mëhalla

Shkruar nga Versus

Del VIDEOJA, momenti kur ekzekutohet Edmond Mëhalla

Është publikuar videoja e atentatit ku u ekzekutua biznesmeni 43-vjeçar Edmond Mëhalla, mbrëmjen e 30 nëntorit në qytetin e Elbasanit.

Pamjet tregojnë autorin e armatosur me një pistoletë dhe kapuç të zi që zbret nga makina dhe i afrohet me shpejtësi biznesmenit Edmond Mëhalla. Vrasja ndodhi në lagjen “Emin Matraxhiu”.

Viktima sapo kishte dalë nga zyra dhe u fut në makinën e tij “Range Rover”, kur u qëllua me 6 plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë, pasi u sigurua se objektivi kishte ndërruar jetë, autori u largua me një makinë “Audi” të zezë në drejtim të rrugës Elbasan–Librazhd. Automjeti i marrë me qira u gjet të nesërmen i djegur në fshatin Mirakë. Qitësi mbetet ende i paidentifikuar.

Hetimi çoi në arrestimin e Xhino Agos, ish-ortak i viktimës, banues në Elbasan, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ai është personi që dyshohet se i dha autorit makinën e përdorur në krim.

Në pranga u vu edhe Kujtim Pisha, 52 vjeç, roje në një karburant, i cili akuzohet për “moskallëzim krimi”.

Autoritetet kanë shpallur në kërkim dy persona:  Marselo Arani, 32 vjeç, banues në Elbasan, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale dhe Armando Kola, 35 vjeç, banues në Laç, i dyshuar për veprat “Vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”

Policia ka vënë në pranga këtë të mërkurë një tjetër bashkëpunëtor në ngjarje. Ai është Nevzat Spaho, 29 vjeç nga Prrenjasi. I riu me precedent penalë ka pranuar se makina e ortakut të viktimës iu dha disa lezhjanëve para ngjarjes.

Dyshimet, mosmarrëveshje për borxhe të pashlyera

Burime pranë hetimit thonë se viktima dhe personat e dyshuar si autorë ishin të njohur mes tyre. Dyshohet se Mëhalla kishte pasur konflikte të zgjatura me disa prej tyre lidhur me borxhe të pashlyera, të dhëna me fajde, dhe se tensionet kishin agravuar prej muajsh

Dyshohet se viktima kishte ushtruar presion dhe më herët kishte pasur konflikte verbale e fizike me disa prej personave të përfshirë, çka mund të ketë ndikuar për atentatin.

Dyshohet se vrasja është kryer në kushtet e një hakmarrjeje të menjëhershme pas një konflikti, por rolet e secilit prej personave të arrestuar dhe të kërkuar mbeten për t’u përcaktuar nga policia dhe hetimi do të përcaktojë autorësinë e secilit.

Poll