Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të shtyjë për në 5 shkurt vendimin mbi kërkesën e të pandehurve në dosjen “AKSHI”, të cilët kërkojnë lehtësimin e masave të sigurisë.
Zyrtarë dhe ish-zyrtarë të përfshirë në hetime kanë kërkuar masa më të buta, por prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani mbeten në qëndrimin e tyre për të lënë në fuqi masat e vendosura më parë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, sipas kërkesës së SPAK.
Sipas prokurorëve, gjatë periudhës së fundit janë grumbulluar dëshmi të reja lidhur me personat e dyshuar dhe veprimet e tyre të paligjshme.
Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), nuk ishte e pranishme vetë në seancë, por u përfaqësua nga avokati i saj mbrojtës.
Ajo ndodhet nën masën e “arrestit në shtëpi”, ndërsa kompetencat për drejtimin e agjencisë i ka deleguar zëvendësdrejtores Romina Kostanit.
Hetimet e SPAK
Hetimi i Prokurorisë së Posaçme, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka zbuluar një skemë të dyshuar kriminale për manipulim tenderash publikë në AKSHI, ku përdorej presion, dhunë dhe heqje e paligjshme e lirisë.
SPAK ka caktuar masa sigurie për tetë persona, mes të cilëve përfshihen Karçanaj dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, për të cilat është vendosur “arrest në shtëpi”.
Hetimi gjithashtu përfshin Ergys Agasi dhe biznesmenin Ermal Beqiri, të cilët akuzohen për veprime të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Për ta është vendosur “arrest me burg”, por nuk është ekzekutuar, pasi ata nuk janë kapur gjatë operacionit.
SPAK ka deklaruar se grupi i dyshuar ka detyruar kompani pjesëmarrëse në tendera të tërhiqnin ankesat e tyre, duke favorizuar kompanitë e paracaktuara për marrjen e kontratave publike.
Në këtë skemë dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe një zyrtar i Policisë së Shtetit. Erion Ismaili, zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, është vendosur nën pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Tre biznesmenë të tjerë – Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta – akuzohen se kanë marrë pjesë në manipulim tenderash, duke lëshuar fatura fiktive ose duke marrë pjesë formalisht në garat e tenderëve pa kryer punë reale. Për ta është vendosur masa e sigurimit “ndalim për të dalë jashtë vendit”./Versus.al

