Një tjetër e përfshirë në hetime është bërë bashkëpunëtore e drejtësisë në dosjen që rëndon mbi Erion Veliajn. Bëhet fjalë për ish-drejtoreshën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Abigeila Voshtina.
Sipas dëshmisë së saj, Voshtina ka deklaruar se ka firmosur dokumente nën presion, duke përmendur ndikimin që Ajola Xoxa, bashkëshortja e Veliajt, ka ushtruar përmes emrit të tij.
Ajo tregon se organizata “Harabel”, e lidhur drejtpërdrejt me Ajola Xoxën, ka qenë përfituese e fondeve publike për aktivitete artistike si Festivali Ndërkombëtar i Vallëzimit (ICDF), me fondin që arrinte deri në 240 mijë euro.
Voshtina shprehet se nuk ishte dakord që këto fonde të menaxhoheshin nga një organizatë e jashtme, por presioni dhe mungesa e stafit gjatë verës e detyruan të firmoste pa ndjekur procedurat ligjore.
Në dëshminë e saj përmendet edhe Romina Tafaj, violiniste dhe përfaqësuese e një OJF-je që aplikoi për fonde në Bashkinë e Tiranës, përmes së cilës u siguruan rreth 40 mijë euro për aktivitete të nëntorit 2022.
Voshtina ka sqaruar gjithashtu se nuk ka pasur marrëdhënie personale me Ajola Xoxën, por ka zhvilluar disa takime pune me të dhe me bashkëpunëtorin Tim Neeman.
Ajo përmend gjithashtu Henri Mimanin, si lidhësin ndërmjet Qendrës Harabel dhe TKOB, i cili sipas saj ka vepruar shpesh pa miratim, përfshirë transformimin e hollit të teatrit dhe heqjen e logos së Ministrisë së Kulturës nga materiali promovues i festivalit./Versus.al







