
Pas kryeprokurorit të përgjithshëm Olsian Çela i cili kritikoi draftin për kodin e ri penal të vendit, edhe kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani ka patur një qëndrim të ftohtë lidhur me dispozitat e draftit.
Ajo tha se drafti nuk i është vënë në dispozicion KLP-së dhe shtoi se nuk mund të ketë një qëndrim konkret pasi duhet kohë për të analizuar gjithë ato nene të shtuara në draft.
“Ky ka qenë një proces tërësisht i iniciuar nga Ministria e Drejtësisë. Kemi pritur të kemi një material të cilin mund ta gjykojmë. Kemi pasur një diskutim informal për qëndrimin që ne si Këshill mund të mbajmë, për qasjen pro apo kundër kodit apo seksioneve të veçanta të tij, sepse duhet një punë e jashtëzakonshme për të analizuar të gjitha ato nene, për të parë direktivat e Bashkimit Europian dhe se si përjashtohen. Kërkon një ekspertizë të gjerë në kohë dhe burime njerëzore që Këshilli për momentin nuk i ka. Ka nevojë për një vlerësim dhe vendimmarrje për t’u analizuar në detaje”,- tha Bogdani. Versus.al







