AKTUALITET /

Durana Tech Park e mbetur në letër, “parajsë fiskale”? Administratorja: S’është e nevojshme të kemi zyra fizike

Shkruar nga Versus
Durana Tech Park e mbetur në letër, “parajsë
Florenca Haxhi dhe vendi ku duhej të ishte ndërtuar "Durana Tech Park", Xhafzotaj, Durrës

Projekti “Durana Tech Park” është një ndër çështjet e kthyera në qendër të diskutimeve pas denoncimit të bërë nga ish-zv.kryeministri në arrati, Arben Ahmetaj i cili tregoi sesi parku teknologjik ka mbetur vetëm në letër dhe se në terren nuk ka asnjë ndërtesë.

Ky projekt rezulton të jetë vetëm “virtualitet” që ju ka mundësuar rreth 50 kompanive të lidhura me AKSHI-n që të përfitojnë heqjen e taksave duke u shndërruar kështu në një parajsë fiskale. Pavarësisht se u pretendua se këto kompani do të sillnin risi në fushën e teknologjisë dhe informacionit duke punësuar mijëra të rinj, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, të paktën deri më tani.

Korporata e Investimeve Shqiptare rezulton të jetë pronare e “Durana Tech Park”. Pronare është Elira Kokona, person i afërt me qeverinë e kryeministrit Edi Rama pasi ka mbajtur më herët disa pozicione drejtuese. Ndërsa së fundmi, Florenca Haxhi njëra prej administratorëve të ‘Durana Tech Park’ ka folur për A2 ku iu përgjigj akuzave për projektin dhe favorizimit që supozohet se u është bërë një pjese të kompanive të përfshira në këtë projekt përmes Këshillit Shqiptar për Teknologjinë dhe Inovacionin që drejtohet nga biznesmeni i shpallur në kërkim nga SPAK, Ermal Beqiraj.

Duke i mohuar akuzat e bëra nga Ahmetaj në një intervistë televizive, Haxhi tha se Durana Tech Park është një projekt i bazuar në ligj për parqet teknologjike dhe VKM të cilat sipas saj lejojnë funksionimin fillestar në një formë virtuale të këtij parku dhe më pas kalimin në fazën fizike. Sipas saj parku tani është në fazën virtuale, ndërsa ndërtimi fizik do të kryhet brenda afatit 36 mujor të parashikuar nga ligji.

“Disa prej akuzave i kam ndjekur disa jo, janë disa lajme që kanë dalë, që për mendimin tim janë të pavërteta. Mjafton që të lexohet VKM dhe ligjet dhe gjithçka është e qartë. VKM 73 që ka dalë në Janar 2025, sqaron operimin e parkut në të dyja fazat e tij, në atë fizike dhe në atë hibride. Parku nuk ka nevojë që të ndërtohet, pasi ne shohim nëse ka një numër kompanish që shprehin interes, dhe më pas do të bëhet ndërtimi fizik. Durana Tech Park nuk ka lidhje me një individ të caktuar, qeveria vetë pa që ne jemi i vetmi vend në rajon që nuk kishin një park. Ligji për parqet teknologjike ka dalë në vitin 2022. Serbia ka disa parqe, jodomosdoshmërisht parqe virtuale. Parku ka hapur thirrjen në pranverën e vitit 2025 dhe kontrata e parë është lidhur në qershor 2025. Deri më sot janë 78 kompani të regjistruara ose në fazë përfundimtare regjistrimi, shumë më tepër se pritshmëria fillestare prej 11 kompanish në vitin e parë,” deklaroi Haxhi.

Ajo hodhi poshtë akuzat për “parajsë fiskale” duke thënë se modele të ngjashme janë edhe në disa vende të BE-së. më tej argumentoi se lehtësitë fiskale janë një prej instrumenteve për të tërhequr kompani ndërkombëtare.

“Përfitimi kryesor për Shqipërinë është punësimi i të rinjve dhe krijimi i aktiviteteve të reja ekonomike. Shteti heq dorë nga disa taksa sot, por fiton shumë më tepër nesër,” shtoi ajo.

Për këtë projekt ka folur më herët edhe kryeministri Edi Rama i cili 10 muaj më parë më 2 prill të vitit 2025 deklaronte se ky park do të ishte epiqendra e zhvillimit teknologjik.

“Durana Tech Park është destinacion i krijuar për talente shqiptare dhe të rinjtë shqiptarë duke ju hapur një perspektiv inkurajuese për të realizuar Durana Tech Park kemi bërë një analizë shumë të gjatë, kemi shqyrtuar me kujdes legjislacionin evropian, kemi parë si kanë funksionuar në vende të tjera dhe besoj se kemi krijuar një kornizë unikale duke marrë më të mirën nga të tjerët. Sot ky park çon para një revolucion digjital që do të vazhdoj, së shpejti do të prezantojmë dhe modelin tjetër të AI në shërbimet publike. Ajo që është një surprizë e bukur për në është ai që na bën përshtypje që është se ka interes në institucione publike ka interes nga universitete italiane por edhe të tjera”- deklaronte Rama. Versus.al

Poll