Policia ka vënë në pranga ditën e sotme një efektiv të sigurisë së burgut të Drenovës, i cili dyshohet se ishte përfshirë në veprimtari të paligjshme brenda institucionit penitenciar. Bëhet fjalë për Rudenc Myrten, ndaj të cilit prej disa muajsh ishin zhvilluar përgjime të autorizuara nga prokuroria.
Sipas burimeve të besueshme, hetimet kanë zbuluar dyshime të forta se polici ka futur në mënyrë të paligjshme në ambientet e burgut doza të lëndës narkotike kanabis, si dhe sende të tjera të ndaluara për të dënuarit.
Pas grumbullimit të provave dhe ndjekjes me metoda speciale të hetimit, autoritetet e drejtësisë lëshuan urdhrin për arrestimin e tij. Veprimet e dyshuara të efektivit vlerësohen si një shkelje e rëndë e detyrës dhe rrezik për sigurinë në institucionin korrektues.
Hetimet për rastin vijojnë për të zbuluar nëse ka bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë dhe për të përcaktuar përmasat e rrjetit të mundshëm të kontrabandës brenda burgut.
Autoritetet kanë theksuar se do të vijojnë me vendosmëri hetimet ndaj çdo rasti abuzimi me detyrën, sidomos në sistemin e burgjeve. /Versus.al







