Hetimet për pasuritë dhe dyshimet për afera korruptive dhe përfshirje në grup kriminal brenda dosjes “AKSHI” po vijojnë me intensitet.
Këtë të enjte, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka thirrur për deklarime Xhenila Tamizin, e cila rezulton vartëse e biznesmenit në arrati Ermal Beqiri.
Sipas hetimeve, Beqiri dyshohet se ka regjistruar në emër të Tamizit pronësinë e një jahti luksoz, i cili mendohet të jetë pjesë e pasurive të përdorura për të fshehur origjinën reale të pronësisë.
Jahti është bllokuar nga SPAK dhe aktualisht ndodhet i ankoruar në portin e Durrës, në pritje të përfundimit të verifikimeve dhe procedurave ligjore.
Hetimet janë fokusuar në gjurmimin e pasurive dhe dokumentimin e rolit të të përfshirëve në këtë skemë të dyshuar./Versus.al

