
Pavarësisht se nuk arriti të sigurojë një mandat deputeteje në zgjedhjet e 11 majit, Ina Majko i bashkohet qeverisë si zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Vendimi u mor në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, ku Majko u emërua në vend të Niko Hykës.
Kryeministri Edi Rama kishte paralajmëruar gjatë fushatës se në rast se Ina Majko nuk do të zgjidhej si deputete, ajo do të ishte pjesë e kabinetit qeveritar.
Majko kandidoi për Partinë Socialiste në qarkun e Vlorës, përmes platformës “Deputeti që duam”, e cila promovoi emra të rinj në politikë. Ajo synonte të përfaqësonte në Kuvend komunitetin rom dhe egjiptian, por nuk arriti të marrë mjaftueshëm vota për t’u bërë ligjvënëse./Versus.al







