AKTUALITET /

Erion Veliaj kërkesë Këshillit Bashkiak para shkarkimit: Kërkoj të jem i pranishëm në mbledhje dhe të dëgjohem!

Në letër, Veliaj thekson se mungesa nuk është pasojë e vullnetit të tij, por rezultat i një mase sigurie që ai e cilëson disproporcionale dhe të padrejtë.

Shkruar nga Versus
Erion Veliaj kërkesë Këshillit Bashkiak para shkarkimit:
Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u është drejtuar me një letër anëtarëve të Këshillit Bashkiak, pas njoftimit se më 23 shtator 2025 do të mbahet mbledhja për të diskutuar propozimin e shkarkimit të tij, me argumentin e mungesës mbi tre muaj në detyrë.

Në letër, Veliaj thekson se mungesa nuk është pasojë e vullnetit të tij, por rezultat i një mase sigurie që ai e cilëson disproporcionale dhe të padrejtë.

“Kjo masë nuk ka izoluar vetëm qytetarin Erion Veliaj, por ka paralizuar qeverisjen e kryeqytetit,” shkruan ai, duke shtuar se vendimi i gjykatës ka krijuar një krizë politike, institucionale dhe kushtetuese.

Veliaj paralajmëron se shkarkimi i tij nga Këshilli Bashkiak do të zëvendësonte vullnetin e 160 mijë zgjedhësve me një akt juridikisht të pajustifikuar, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për demokracinë vendore.

Ai thekson se mandati i tij është kontratë me qytetarët e Tiranës dhe jo një interes personal.

“Nuk jam munguar me dëshirë, por si pasojë e një vendimi paraprak, jo të formës së prerë. Kjo nuk është shkelje kushtetuese, por cenim i hapur i parimit të përfaqësimit demokratik,” thekson Veliaj.

Në përfundim, ai kërkon të marrë pjesë dhe të dëgjohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak përpara se të merret vendimi për shkarkimin e tij.

Kërkesa e Veliajt drejtuar Anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës:

E nderuar kryetare dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak,

Jam informuar nga media se, më datë 23 shtator 2025, do të mbahet mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, me objekt miratimin e propozimit drejtuar Këshillit të Ministrave për shkarkimin tim nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë, me arsyetimin e mungesës mbi tre muaj në detyrë.

Dua të theksoj qartë se kjo mungesë nuk është pasojë e vullnetit tim, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale dhe që do të kundërshtohet në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kjo masë nuk ka izoluar vetëm qytetarin Erion Veliaj, por ka paralizuar qeverisjen e kryeqytetit, duke lënë pa drejtues të zgjedhur mbi 1 milion qytetarë të Tiranës. Sistemi gjyqësor, në mungesë të një përgjegjësie të plotë për fuqinë dhe pasojat e vendimeve të tij, nuk mori parasysh se masa e sigurimit duhej të balanconte interesin publik të hetimit penal me interesin po aq madhor të garantimit të qeverisjes vendore. Kjo është arsyeja reale që ka prodhuar krizën e sotme politike, institucionale dhe kushtetuese. Shkaktar i saj nuk është as Kryetari i Partisë Socialiste, as Partia Socialiste, as ju këshilltarë, por një vendimmarrje gjyqësore që ka ndërprerë në mënyrë të padrejtë një mandat kushtetues. Çdo përpjekje për ta fshehur këtë të vërtetë nuk i shërben zgjidhjes, por e devijon atë.

Mungesa e imponuar nga një masë paraprake, jo nga një vendim përfundimtar fajësie, nuk është as mungesë e vullnetshme, as shkelje e rëndë kushtetuese, por cenim i hapur i parimit të përfaqësimit demokratik dhe një precedent i rrezikshëm për qeverisjen vendore.

E mirëkuptoj shqetësimin tuaj për të kërkuar një zgjidhje politike. Por nuk mund të mirëkuptoj që kjo krizë, e shkaktuar nga gjykata dhe ku “viktimë” është vetëqeverisja vendore, të “zgjidhet” me një tjetër shkelje të Kushtetutës po nga vetë pushteti vendor.

Një vendim i tillë do të zëvendësonte vullnetin e 160 mijë zgjedhësve, të cilët kanë folur politikisht, me një akt të pajustifikuar juridikisht, duke krijuar precedent të rrezikshëm për demokracinë vendore.

E kam thënë dhe e përsëris, dhe dua të më besoni siç keni bërë gjithë këto vite: nuk bëhet fjalë për interesin tim personal. Mandati nuk është i imi, por i qytetarëve të Tiranës, të cilët për herë të tretë më kanë dhënë nderin e jetës sime duke më besuar drejtimin e qytetit.

Mandati nuk më ka mbrojtur mua, përkundrazi, është arsyeja pse unë sot jam i izoluar, por ai më detyron të mbroj kontratën katërvjeçare që qytetarët kanë firmosur me votën e tyre. Kam detyrimin të mbroj çdo pikë djerse që kemi derdhur së bashku për ta fituar atë besim.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës është organ kushtetues që ka të drejtën dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës ka detyrimin të respektojë procesin e rregullt ligjor në çdo vendimmarrje që bën. Për këto arsye dhe në respekt të parimit kushtetues të procesit të rregullt ligjor dhe të së drejtës për t’u dëgjuar, kërkoj të jem i pranishëm dhe të dëgjohem në mbledhjen e këshillit bashkiak, për të dhënë sqarimet e nevojshme para se të merret vendimi për propozimin e shkarkimit tim.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës,

Erion Veliaj/Versus.al

Poll