Në një reagim publik, avokati i Leonidha Çobos, ish-administrator i kompanisë “Bankers Petroleum”, ka kundërshtuar me forcë vendimin e Gjykatës së Fierit për vendosjen e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj klientit të tij, duke e cilësuar atë si të pabazuar ligjërisht dhe në kundërshtim me parimet e një procesi të rregullt penal. Avokati deklaron se Çobo ka drejtuar kompaninë gjatë viteve 2010–2015, ndërsa hetimi i Prokurorisë është mbështetur në kontrolle të realizuara pas vitit 2018, kohë kur ai nuk ishte më pjesë e strukturave drejtuese të Bankers.
Sipas mbrojtjes, gjatë mandatit të Çobos, të gjitha pasqyrat financiare dhe investimet janë audituar nga institucionet shqiptare përkatëse, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Drejtorinë e Tatimeve, si dhe janë shqyrtuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në Paris, e cila ka konfirmuar ligjshmërinë e veprimeve të kompanisë. “Prokuroria ka zgjedhur të injorojë një vendim përfundimtar dhe detyrues të Gjykatës së Arbitrazhit, çka përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe minon rendin juridik,” thuhet në deklaratë.
Avokati thekson gjithashtu se ndaj Çobos është zhvilluar më herët një hetim për të njëjtat çështje, dhe se procedimi penal ndaj tij është pushuar me kërkesë të vetë Prokurorisë së Fierit, vendim i cili është konfirmuar nga të gjitha instancat gjyqësore deri në Gjykatën e Lartë. Ai argumenton se vendosja e paraburgimit ndaj një personi që nuk ka qenë aktiv në drejtimin e kompanisë prej më shumë se një dekade, pa u thirrur asnjëherë për të dhënë shpjegime, është një akt i nxituar dhe i papërputhshëm me standardet e ligjit penal.
Avokati gjithashtu kritikon mënyrën e hetimit, duke akuzuar prokurorinë për ngatërrim mes fitimit kontabël dhe atij fiskal, dhe për neglizhim të faktorëve të tjerë si rritja e vlerës së aseteve të kompanisë nga investimet e kryera. Ai e mbyll deklaratën duke e cilësuar këtë procedurë si një precedent të rrezikshëm dhe tregues të mungesës së profesionalizmit në trajtimin e një çështjeje të ndjeshme që, sipas tij, rrezikon jo vetëm imazhin e klientit, por edhe klimën e investimeve në Shqipëri. /Versus.al







