
Gjatë seancës së sotme ku u mbyll shqyrtimi gjyqësor paraprak dhe u caktua 18 marsi si datë kur do të vendoset nëse dosja do ta kalojë për gjykim, ish-presidenti Ilir Meta kërkoi pushimin e çështjes ndaj tij.
Duke refuzuar të ketë kryer veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave, Meta pretendoi se gjithmonë kishte bërë jetesë të thjeshtë e modeste.
“Kam bërë jetë thjeshtë dhe jo jetë luksi, nuk kam pirë verën as 33 mijë euro dhe as kam lëvizur me charter”, deklaroi ai, duke ironizuar edhe pretendimet dhe akuzat për kryeministrin Edi Rama.
Gjithashtu deklaroi se shumicën e shpenzimeve të tij, sidomos të udhëtimeve jashtë vendit, janë paguar nga shteti ose vendet pritëse, ku ka qenë si zyrtar.
“Në një vit kam marre 15 mijë euro dieta”.
Ajo që mori vëmendje gjatë deklaratës së tij ishte refuzimi i Metës për përmendjen e emrit të Monika Kryemadhit në dosjen e tij. Mësohet se në një moment i është drejtuar prokurorisë me kërkesën: “Mos më thoni në akuzë “çifti” por ndryshojeni me ‘ish-çifti’, jam ndarë me këtë zonjën”. Versus.al


