
Një parcelë me 7446 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa është zbuluar në fshatin Reç i Ri, në Njësinë Administrative Velipojë, duke sjellë masa të menjëhershme disiplinore ndaj disa drejtuesve të Policisë së Shtetit.
Pas zbulimit të rastit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Shefit të Komisariatit të Policisë Shkodër, Shefit të Stacionit të Policisë Velipojë dhe Ndihmësspecialistit të Policimit në Zonë, përgjegjës për territorin ku u gjetën bimët narkotike.
Sipas Policisë së Shtetit, informacioni për kultivimin e mijëra bimëve narkotike ka mbërritur në postën elektronike të Drejtorit të Përgjithshëm. Menjëherë pas marrjes së tij, u organizua operacioni për evidentimin dhe asgjësimin e parcelës, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve të përfshirë.
Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim të thelluar administrativ për të verifikuar përgjegjësitë e strukturave policore që mbulojnë zonën.
Për mangësi në përmbushjen e detyrave janë pezulluar nga detyra:
Kryekomisar B. L., Shef i Komisariatit të Policisë Shkodër;
Nënkomisar Z. M., Shef i Stacionit të Policisë Velipojë;
Inspektor S. K., Ndihmësspecialist i Policimit në Zonë dhe përgjegjës për territorin ku u gjet parcela me kanabis.
Ndërkohë, hetim disiplinor pa pezullim nga detyra ka nisur edhe për dy punonjës të tjerë të policisë, pjesë e grupit të kontrollit të territorit: Nënkomisar D. N., Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë, dhe Inspektor E. I., Ndihmësspecialist i Policimit në Zonë.
Policia e Shtetit thekson se lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike mbetet një nga prioritetet kryesore të saj dhe se çdo rast i konstatuar do të trajtohet me tolerancë zero, si ndaj personave të përfshirë në aktivitete kriminale, ashtu edhe ndaj efektivëve që nuk përmbushin detyrimet ligjore apo neglizhojnë detyrën.

