AKTUALITET /

Lindi në ditën e Flamurit kombëtar, legjendari Adem Jashari do të festonte ditëlindjen e 70-të

Adem Jashari lindi më 28 nëntor dhe u bë i pavdekshëm, një emër që sot qëndron si simboli më i fortë i lirisë dhe i flamurit më të bukur në botë.

Shkruar nga Versus

Lindi në ditën e Flamurit kombëtar, legjendari Adem Jashari do

Një tjetër fakt interesant për 28 nëntorin është edhe se sot legjendari Adem Jashari do të festonte ditëlindjen e 70-të nëse do ishte gjallë. Nipi i tij, Bashkim Jashari e ka kujtuar përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa ka uruar edhe Ditën e Flamurit.

“Gëzuar ditëlindjen, o Flamurtar, o Kryekomandanti ynë Adem Jashari! Gëzuar 28 Nëntorin”, shkruan Bashkim Jashari.

Adem Jashari, i lindur më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Skenderajt, ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit dhe njëri prej figurave më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai, së bashku me vëllanë e tij Hamzën, mori pjesë në shumë aksione kundër forcave policore-ushtarake serbe, duke u bërë simboli i rezistencës së armatosur për lirinë e vendit.

Pas mbylljes  të institucioneve të Kosovës në vitin 1990, ideja e organizimit ushtarak mori formë të qartë, ndërsa më 3 nëntor 1991 një grup veprimtarësh, mes tyre edhe pjesëtarë të Jasharëve, kaluan në Shqipëri për stërvitje ushtarake. Veprimtaria e tyre u ndoq nga shërbimet sekrete serbe dhe më 30 dhjetor të atij viti, një ekspeditë e policisë dhe ushtrisë serbe ndërmori aksion për t’i kapur.

Nga ajo ditë, grupi i Adem Jasharit kaloi në ilegalitet, deri në shpërthimin e luftës së hapur çlirimtare.

Intensifikimi i aksioneve të UÇK-së u pa sidomos në shtator të vitit 1997, me sulmet kundër 12 stacioneve policore. Mbi këto përleshje u ngrit një fazë e re e rezistencës së armatosur, që kulmoi me betejën e Rezallës së Re në fund të nëntorit 1997, ku forcat e UÇK-së, të prira nga Adem Jashari e të shoqëruara nga luftëtarë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti e të tjerë, ndalën një kolonë të rëndë serbe. Kjo u vlerësua si fitorja e parë e madhe e UÇK-së dhe mori jehonë të gjerë.

Shtëpia e Jasharëve ishte prej kohësh e shënjuar. Më 5 mars 1998, që në orët e para të mëngjesit, forca të mëdha policore dhe ushtarake serbe rrethuan Prekazin, të mbështetura me artileri të rëndë nga disa drejtime. Sulmi vazhdoi për tre ditë, 5, 6 dhe 7 mars, ndërsa familja Jashari qëndroi heroikisht brenda shtëpisë. Kjo qëndresë hyri në histori si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sakrifica e kësaj familjeje la gjurmë të pashlyeshme. Bernard Kouchner, administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, pati deklaruar se sikur të ekzistonte një Çmim Nobel për lirinë, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij. Me vendim të ish-presidentit Fatmir Sejdiu, komandanti legjendar u nderua me titullin “Hero i Kosovës”.

Adem Jashari erdhi në jetë në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe u përjetësua po nën hijen e atij flamuri. Vdekja e tij, e ngjashme me mitet e lashta të heroizmit, i dha atij një vend të pakrahasueshëm në historinë e kombit. Shtëpia, familja dhe varrezat e Prekazit sot dëshmojnë realitetin e një qëndrese që, po të mos ishte dokumentuar nga vetë jeta, do të dukej si legjendë.

Adem Jashari lindi më 28 nëntor dhe u bë i pavdekshëm, një emër që sot qëndron si simboli më i fortë i lirisë dhe i flamurit më të bukur në botë. Versus.al

Poll