Erion Veliaj reagoi sot nëpërmjet një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale ku fliste për procesin hetimor të SPAK ndaj tij të cilin e cilëson “të padrejtë” dhe “poshtërues”. Por mes të tjerash, ndër rreshta Veliaj ka përmendur edhe rastin e ekzaminimit të tij në spitalin e Durrësit rreth 2 javë më parë.
Teksa tha se është politikani i vetëm që ka kaluar vetting 21 vjeçar, Veliaj shokon me atë çfarë shkruan më tej ku akuzon agjentët e BKH se në sallën e operacionit i është bërë një kontroll i imtësishëm deri në pikën që ai e cilëson si “Voyerism”, apo thënë ndryshe një lloj ngacmimi seksual.
“Lajmi i mirë është se kam kaluar vetting-un 21-vjeçar, të paprecedentë për asnjë politikan në Shqipëri. Shto këtu edhe voyerism-in absurd, intimidimin dhe poshtërimin nga agjentët, në sallë të operacionit, para dy javësh, për t’u siguruar që, përveç vetting-ut të jashtëm, të kaloja edhe vetting-un e brendshëm të të gjithë organeve - nga ezofagu gjer në rektum - shoqëruar nga 30 roje të policive të ndryshme, të burgut, shtetit etj”- shprehet Veliaj.
Sipas kreut të bashkisë, e gjithë kjo ka qenë e planifikuar ndaj tij me qëllim poshtërimin.
“Edhe kjo, pjesë e kësaj innuendo të qëllimshme dhe poshtëruese, ku fillimisht zgjidhet preja dhe, nëse nuk gjendet asnjë provë penale në punën e viktimës, kalohet në vetting që nga udhëtimet e moshës 25 vjeç, pa funksion politik, gjer në kolonoskopinë e 2025-ës. Dhe kur prapë nuk gjendet asgjë, i hapin dosje bashkëshortes, vëllait, nënës, vjehrrit të ndjerë, kushërinjve dhe gjithë fisit e rrethit shoqëror - të gjithë në punët e tyre private”- shkruan më tej kryebashkiaku i cili mbahet në paraburgimin e Durrësit që prej 10 shkurtit.
Disa ditë më parë, SPAK mori zyrtarisht të pandehur Veliajn dhe i komunikoi akuzat e korrupsionit pasiv në 9 raste, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Versus.al







