Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) mëngjesin e sotëm në orën 09:00 për t’u marrë në pyetje lidhur me vrasjet e 4 protestuesve më 21 janar 2011, kohë kur ai drejtonte qeverinë.
Me dosje në duar, Berisha është futur në ambientet e SPAK ku pritet të pyetet si person në dijeni mbi ngjarjen që është cilësuar si “krim shtetëror” edhe nga Gjykata e Strasburgut. Më herët kreut të PD-së i janë drejtuar 2 fletëthirrje nga SPAK për t’u marrë në pyetje, të cilat i ka shmangur duke pretenduar se nuk i ishin dorëzuar atij personalisht.
Kjo është hera e parë që Berisha pyetet mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur 14 vite më parë gjatë protestës përballë kryeministrisë ku ndaj protestuesve u hap zjarr luftarak duke lënë 4 të vdekur dhe disa të plagosur. Berisha ka mohuar përgjegjësinë duke pretenduar se nuk ka qenë ai personi që ka dhënë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve dhe se gardistët kishin vepruar vetëm në bazë të rregullores që u ishte përcaktuar në raste të tilla të vështira. Versus.al

