AKTUALITET /

Mure me myk dhe suva e rënë, kushte skandaloze në auditorët ku formësohen mjekët e ardhshëm

Shkruar nga Versus

Mure me myk dhe suva e rënë, kushte skandaloze në auditorët

Ndërkohë që flitet për shëndetësinë e standarteve europiane, një pamje krejt paradoksale shfaqet nga bankat ku supozohet të formësohen mjekët dhe infermierët e së ardhmes. Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Jonathan Pano nëpërmjet një fotoje, ka ngritur shqetësimin për gjendjen në të cilën ndodhen ambientet në Universitetin e Mjekësisë. 

Në pamje shfaqen mure me lagështi e myk dhe suva të rënë. Ndërsa Pano shpreh revoltën lidhur me kushtet në të cilat të rinjtë janë të detyruar të bëjnë mësim dhe të marrin formim për të qenë profesionistët e së ardhmes në fushën e shëndetësisë. 

Postimi i plotë:

Kjo foto nuk është magazinë e braktisur. Është sallë mësimi në Universitetin e Mjekësisë.

Mure të kalbura, lagështi, suva e rënë, myk në ambient ku duhet të formohen mjekët e ardhshëm të Shqipërisë.

Dhe ironia më e madhe është kjo:

Studentëve u thuhet: “Do firmosësh kontratë me shtetin, do punosh këtu pas diplomimit, ose paguaj tarifën e plotë.” Ligji parashikon deri në 3 vite shërbim të detyrueshëm pas diplomimit.

Pra shteti u thotë:

“S’ke ku shkon, ke kontratë me ne.”

Po ky shtet nuk arrin as t’u sigurojë një sallë normale mësimi pa lagështi e pa myk.

Kjo është mungesë respekti për studentët, për arsimin publik dhe për mjekët që nesër do të kujdesen për ne.

Nuk mund t’i mbash të rinjtë me detyrim, ndërkohë që i trajton në kushte skandaloze.

Para se t’u kërkoni të rinjve të qëndrojnë në Shqipëri, bëjeni Shqipërinë një vend ku ia vlen të qëndrohet. Versus.al

Poll