Gjyqtarja e Posaçme Etleva Deda ka caktuar datën 29 shtator, ora 12:00 për të zhvilluar seancën paraprake ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliajt, gruas së tij Ajola Xoxës dhe të pandehurve të tjerë të dosjes voluminoze.
Veliaj i cili që prej 10 shkurtit të këtij viti mbahet nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’, do të përballet me akuzat për kryerjen e 5 veprave penale. Sipas SPAK, Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa kishin ngritur një skemë për përvetësimin e fondeve publike të bashkisë së Tiranës nëpërmjet shoqatave të ngritura nga Xoxa.
Të pandehur në këtë dosje hetimore janë edhe disa biznesmenë të cilët dyshohet se kanë përfituar tendera me urdhër të Veliajt teksa bënin pagesa “fiktive” për shoqatat të cilat drejtoheshin nga Xoxa. Kjo e fundit, sipas dosjes hetimore rezulton të ketë kryer blerje deri në 850 mijë euro vetëm për fustane dhe bizhuteri online.
SPAK e akuzon Veliajn për korrupsion pasvi në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje e sendeve të paligjshme në qelinë e paraburgimit. Bashkëshortja e tij Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ndërsa e pandehur është marrë edhe ish-deputetja e PS, Klotildta Bushka e cila akuzohet se ka kryer veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Nga ana tjetër avokatët e Veliajt pretendojnë se ndaj Veliajt nuk ka asnjë fakt që provon veprat penale të pretenduara nga SPAK. Versus.al







