
Ditën e djeshme për disa orë forcat RENEA ishin në Orosh të Pukës aty ku dy të rinj ishin izoluar në një banesë të braktisur ku kishin edhe armë zjarri. Ata u vetëdorëzuan pas negociatave që bëri me ta vëllau i njërit prej tyre.
Mësohet se brenda banesës së braktisur janë gjetur 5 armë zjarri dhe municion luftarak. Dje u raportua gjithashtu se njëri prej tyre, Erzen (Hamza) Uka ishte plagosur. Mësohet se ky i fundit ishte vetëplagosur në këmbë për të ngritur akuza ndaj policisë së kanë qëlluar me armë zjarri drejt tyre.
Si Uka ashtu edhe shoku i tij Julian Cumrraku nuk kanë dhënë deklarime para policisë. Operacioni ndaj tyre nisi gjatë një kontrolli rutinë që policia e Pukës po bënte në banesa të ndryshme që prej orëve të para të mëngjesit të 24 nëntorit.
Në momentin që i janë afruar banesës, dy të armatosurit u janë drejtuar me fjalët: Mos u afroni ose ju vrasim.
Që prej këtij momenti janë njoftuar forcat RENEA të cilat u nisën nga Tirana dhe pas 12 orësh negociata u arrit dorëzimi i Ukës dhe Cumrakut. Dy të arrestuarit po survejoheshin prej disa muajsh nga anti-terrori pasi kishte dyshime mbi veprimtarinë e tyre. Erzen (Hamza) Uka ka qenë ish-pjesëtar i forcave speciale shqiptare në Irak. Në 2015-ën u arrestua si i dyshuar për përgatitjen e fëmijëve që t’i bashkoheshin grupit terrorist ISIS, ndërsa ishte dënuar edhe për nxitje të urrejtjes fetare. Versus.al

